• Kreu
  • Natyra
  • “Cibanet” e betonit kafshojnë edhe plazhet e Ksamilit

“Cibanet” e betonit kafshojnë edhe plazhet e Ksamilit

Nuk kanë të mbaruar dëmtimet e bregdetit shqiptar. Në një kohë kur Qeveria ndërmori masa për ndërtimet pa leje, bregdeti është lënë tërësisht në duart shkatërruese të momentit. Përgjatë bregdetit kanë mbirë e janë shtuar vazhdimisht struktura betoni (pista) për ankorimin e mjeteve të vogla lundruese. Pre e këtyre kafshimeve të shëmtuar kanë rënë plazhet e detit Jon duke filluar nga Radhima e deri në Ksamil. Struktura të gjata të shtrembërta betoni e gurësh janë ngulur pa kriter në cektinën e plazheve elitare të Jonit, duke i hapur rrugën një fronti të ri shkatërrimi të plazheve.

Këta cibane përveçse coptojnë plazhin e peisazhin pengojnë dhe qarkullimin e ujit dhe rërës duke krijuar xhepa, të cilat mbushen me leshterike apo llumra e kështu kthehen në burime ndotje për vet detin dhe pushuesit në plazh. Gjithashtu, këto struktura janë dhe burime aksidentesh dhe dëmtimesh për pushuesitsepse në to ankorohen mjete lundrimi e motora uji, që lëvizin në cektinën e plazhit ku notojnë pushuesit. Ndërkohë që nën ndikimin dhe të forcave të dallgës rreziku i përplasjes me to nga zhytësit e fëmijët, që notojnë,është përherë i pranishëm.

Ekzistenca e këtyre strukturave është e papranueshme dhe e turpshme për gjithë rrjetin e institucioneve lokale dhe qëndrore. Si është e mundur të lejohen këto struktura shkatërruese në pjesën më elitare të bregdetit, në një kohë që turizmi është “shpresa e madhe” e ekonomisë të vendit? Investitorët e personat që bëjnë këto dëme në det duhet të kuptojnë se duke dëmtuar në mënyrë të tillë plazhin e detin ndërtimet e hotelet në bregdet nuk do tëishin gjë tjetër vetëm ngrehina të ndërthyera midis tyre.

Kush mban përgjegjësi për mbrojtjen e detit nga ndërtimet të tilla? Si është e mundur që në mënyrë kaq flagrante të lejohet kjo batërdi e re me natyrën dhe burime strategjike të ekonomisë e turizmit? Agjenci e inspektoriate duhet të ndërhyjnë të prishin e ndalojnë këtë masakër të shëmtuar në sytë e çdo turisti, që udhëton për të vizituar e pushuar në plazhet e Jonit.

Ky denoncim dhe fotot iu dërguan dhe Kryeministrit si e vetmja shpresë për të vënë në lëvizje zyrtarët e papërgjegjshëm, përgjegjës për mbrojtjen e detit nga ndërtimet!!

Print