• Kreu
  • Natyra
  • PPNEA, një sy më shumë për raportimin e krimeve mjedisore

PPNEA, një sy më shumë për raportimin e krimeve mjedisore

Dita ditës, në rrjetet sociale dhe në faqen zyratare të shoqatës PPNEA bëhen raportime të shumta në lidhje me krime të ndryshme mjedisore duke filluar nga prerja e pyjeve, gjuetia e paligjshme në zona të mbrojtura, vrasja e kafshëve të konsideruara në rrezik kritik për zhdukje dhe njëkohësisht të cilësuara si pasuri kombëtare e vendit tonë të begatë, kafshë të mbrojtura me ligj që mbahen në kafaze për të zbukuruar subjekte të ndryshme dhe që më pas shiten hapur në portale pa kurrfarë frike, zjarret e përvitshme në fillimin e sezonit të verës, ndotje të mjedisit me mbetje të ndryshme pa kontroll dhe shumë krime të tjera që i bëhen natyrës tonë të vyer.

Veç këtyre, ekipi i PPNEA-së gjatë punës në terren në zona të ndryshme ka vënë re shkelje të moratoriumit të pyjeve dhe ka konstatuar që prerjet janë shtuar duke prekur edhe ato pak pemë të mbetura. Për këtë arsye, në kuadër të projektit “Rojtarët e mjedisit natyror – Të mbrojmë së bashku atë çfarë na përket”, i zbatuar nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ndërtua faqja elektronike www.syrigjelber.info. Faqe e cila do të përdoret për të mbledhur raste të krimeve mjedisore dhe më pas këto të dhëna do shqyrtohen dhe raportohen më tej tek instancat përkatëse për krimet mjedisore. Të gjitha raportimet për krime të ndryshme mjedisore do të pasqyrohen po në këtë faqe.

Projekti “Rojtarët e mjedisit natyror – Të mbrojmë së bashku atë çfarë na përket” ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin, të forcojë zbatimin e ligjit si dhe të sigurojë një impakt të qëndrueshëm për çështjet e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit. Natyra është pronë që na përket të gjithëve dhe si e tillë duhet mbrojtur nga të gjithë. Të mbrojmë së bashku atë çfarë na përket.

Print