• Kreu
  • Natyra
  • Ndal urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta!

Ndal urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta!

Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta ka mbajtur një konferencë në Tiranë paraditen e kësaj të premte, për të shprehur shqetësimin e lartë në lidhje me propozimin për ndërtimin e një kompleksi urban në zemër të Parkut Kombëtar dhe në shkatërrim të vlerave të tij, të Zonës Ramsar të Lagunës së Karavastasë, Zonës Emerald, Zonës së Rëndësishme për Shpendët, Epiqendrës së Larmisë Biologjike dhe Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Urbanizimi i emërtuar si Master Plani “Resort Divjakë Albania” dhe i propozuar në formën e sotme pranë autoriteteve shqiptare nga Kompania Mabetex Group nuk është asgjë tjetër veçse një projekt i ri ndërtimi në një Zonë të Mbrojtur.

Masterplani kërkon të përfitojë privatisht nga një pasuri kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964. Projekti i ndërtimit kërkon zënien dhe zhdukjen e 10% të territorit të Parkut ndërkohë që infrastruktura shoqëruese e përbërë nga rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgëthyese dhe aktivitete të tjera do të ndikojë negativisht në 100% të sipërfaqes së tij. Për një vlerë vetëm 1 Euro, projekti kërkon të zaptojë 12 km të vijës bregdetare, të ndërtojë 2,400 apartamente, 370 vila, një resort turistik prej 90 ha dhe një qytet për 18,000 banorë. Ky kompleks i ri urban është për nga popullsia sa dyfishi i qytetit të Divjakës ndërkohë që ka një shtrirje dhe ndikim shumë më të gjerë në territor.

• Procedura e ndjekur deri më tani nga institucionet e shtetit dhe investitori për paraqitjen e projektit para publikut është e kundraligjshme dhe përpiqet të fshehë karakterin shkatërrues të këtij projekti që do të sjellë jo vetëm dëmtim të ekosistemit, habitateve përbërës dhe gjallesave të egra por edhe shkatërrim të ekonomisë lokale e sidomos asaj të peshkimit.

Investitori i këtij projekti i kërkon qeverisë shqiptare të shkelë me të dy këmbët kuadrin ligjor duke lejuar ndërtim në Zonën Qendrore dhe Zonën e Përdorimit të Qëndrueshëm të Parkut Kombëtar. Projekti është në kundërshti të plotë me legjislacionin shqiptar për Zonat e Mbrojtura, Konventën e Ramsarit, Konventën e Bernës, Konventën e ESPOOS dhe Direktivat e Habitateve dhe të Shpendve të Bashkimit Europian. Miratimi i këtij projekti do të zhvlerësonte të gjitha nismat institucionale dhe ligjore të Qeverisë dhe Parlamentit për mbrojtjen e natyrës.

KY PROJEKT ËSHTË SHKATËRRIMTAR, I KUNDRALIGJSHËM DHE DUHET NDALUR!

Koalicioni i bën thirrje politikës shqiptare dhe ekzekutivit që të gjykojnë dhe të marrin vendime duke zbatuar paketën ligjore kombëtare për mbrojtjen e natyrës, mjedisit dhe zhvillimit lokal, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me këtë qëllim. Shoqëria civile nuk do të tërhiqet nga lufta për mbrojtjen e së mirës publike nga ky shkatërrimi i parathënë.

Print