• Kreu
  • Natyra
  • Perla e natyrës shqiptare në zemër të Alpeve, Thethi shpallet Qendër Historike e Mbrojtur

Perla e natyrës shqiptare në zemër të Alpeve, Thethi shpallet Qendër Historike e Mbrojtur

I konsideruar një nga perlat e natyrës shqiptare në zemër të Alpeve, fshati Theth është shpallur Qendër Historike e Mbrojtur. Instituti i monumenteve i ka propozuar Këshillit Kombëtar të Restaurimeve pranë Ministrisë së Kulturës që, në bazë të kritereve të përmbushura t’i japë fshatit me bukuri të rrallë këtë status, i cili do të finalizohet së shpejti me VKM nga Qeveria. Qendra Historike e fshatit Theth mbart vlera të rëndësishme historike, dhe dokumenton rrugën e zhvillimit historik të fshatit drejt krijimit të një qendre të banuar dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Pjesa dërrmuese e fshatit ruan të padëmtuara nga pesha e kohës ndërtime të vjetra me vlera arkitektonike dhe infrastrukturën rrugore karakteristike. Fshati i Thethit është i njohur për, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme ku përfshihen objekte monument kulture të kategorisë së parë si, Banesa e Lulash Kecit i kthyer në Muzeun Etnografik i Dukagjinit), apo Kulla e Nikoll Zef Koçekut të quajtur ndryshe Kulla e Ngujimit.

Specialistet e monumenteve thonë se pasuria dhe përpunimi i elementëve arkitektonikë, futja e elementeve të drurit krahas muraturës së gurtë, e gjallërojnë pamjen e banesave karakteristike , ndërsa çatitë e pjerrëta harmonizohen me ambientin e thepisur shkëmbor dhe duken sikur përsëritin konturet e majave të maleve, që përbëjnë sfondin natyror të banesave.

Shpallja e Qendrës Historike në fshatin Theth synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një qendër e zhvillimit të turizmit malor në veri të vendit.

Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485 me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 banesa të mëdha.

Print