Tokës iu hoq çatia mbrojtëse!

Pyjet dhe kullotat kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e tokës nga degradimi. Intensiteti i degradimit të tokës dhe veçanërisht nga erozioni është në varësi të mbulesës bimore, që nënkupton mbulesën fizike bimore në momentin e vlerësimit të saj. Shkalla e degradimit të tokës rritet me mungesën e mbulesës pyjore, kullosore, drufrutore ose bimësisë së kultivuar. Një rol të veçantë në këtë mbrojtje kanë pyjet, për faktin se zhvillohen në toka me pjerrësi të madhe e të rrezikuara nga të gjitha format e degradimit dhe erozionit.

Prerja e pyjeve dekada më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në disa zonat malore, shkaktoi erozion të fuqishëm dhe mbushjen me sedimente të shumë rezervuarëve të mëdhenj të prodhimit të energjisë elektrike dhe për ujitjen e bimëve. Në disa raste, lumenjtë e lundrueshëm u kthyen në të palundrueshëm. Historikisht, shkatërrimi i hershëm i pyjeve në Spanjë, Francë, Greqi, Shqipëri dhe në vende të Mesdheut për qëllime komerciale ka shkaktuar krijimin e një rrjeti të gjerë të përrenjve dhe përroskave, që transportojnë sedimentet nga lartësitë drejt ultësirave.

Shkatërrimi i pyjeve është i lidhur me veprimtaritë ekonomike, si për ndërtime, dru zjarri ose përfitimi i tokave bujqësore në zonat e pjerrëta nga shpyllëzimi. Mbulesa bimore mbitokësore ka rol të veçantë në reduktimin e degradimit të tokës në tërësi dhe të erozionit në veçanti, duke vepruar në dy drejtime:

Së pari, pyjet me masën bimore të degëve, gjetheve, kërcenjve nuk lejojnë që një pjesë e konsiderueshme e rreshjeve të bjerë në tokë, por të qëndrojë në masën bimore. Pjesa që bie në tokë është me forcë goditëse të ulët, duke ulur shkallën e veprimit të gërryerjes nga rreshjet. Nga të dhënat studimore është provuar se një pyll i lartë lisi ka lejuar që të arrijë në tokë më pak se 40% e reshjeve. Nga kurora e pyjeve të pishës dhe bredhit, mbahet 13-15% e borës, ndërsa aftësia mbajtëse e kullotave alpine varion në 6-12%. Edhe bimët njëvjeçare mbajnë një sasi të konsiderueshme të reshjeve dhe reduktojnë efektin e tyre në degradimin e tokës;

Së dyti, mbulimi i tokës me bimësi zvogëlon rrjedhjen e ujit, pasi rritet depërtimi i ujit në tokë, veçanërisht në tokat e mbuluara me pyje. Pyjet janë më të favorizuar për infiltrimin e ujit sipërfaqësor në tokë, jo vetëm se rrënjët dhe trungjet e fuqishëm pengojnë qarkullimin e ujit në sipërfaqe, por edhe sepse pyjet në sipërfaqe mbulohen nga një masë organike, që thith sasi të mëdha uji. Sipas të dhënave, toka pyjore infiltron 10 herë më shumë, në krahasim me infiltrimin në tokat e kullotave. Në kushtet e mbulesës pyjore dhe sistemit rrënjor të thellë dhe të shpërndarë në gjerësi, pakësohet rrjedhja e ujit dhe krijimi i rrëkeve erozive. Mbulesa pyjore shton lëndën organike dhe ndihmon në akumulimin e humusit në tokë, mbron sipërfaqen e tokës nga gërryerja, nga krijimi i rrëkeve të ujit dhe ul shkallën e degradimit.

Nga studimet e kryera në vendin tonë, rezulton se kontributi i mbulesës tokësore në mbrojtjen e tokës pyjore nga degradimi, varet nga lloji i bimësisë, madhësia e kuror-dëndësisë të pyjeve dhe tipi i pylltarisë (i lartë, i ulët dhe me shkurre). Sipërfaqet pyjore me kurorë-dendësi > 0.7 janë të mbrojtura nga erozioni, me kurorë-dëndësi 0.1-0.3 veprimi i erozionit është i lartë, ndërsa në pyjet me kurorë-dëndësi 0.3-0.7 veprimi i erozionit është mesatar. Pyjet e lartë dhe të dendur janë mbrojtësit më të mirë të tokës nga gërryerja. Prandaj, pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura mbetet një nga masat shumë të rëndësishme, veçanërisht në zonat e pjerrëta. Edhe bimët polifite të kullotave kanë sistem rrënjor të fuqishëm dhe me ndikime në mbrojtjen e tokës nga gërryerja.

Aktualisht në Shqipëri, në sektorin e pyjeve është e nevojshme të kryhet një reformë e përgjithshme e shërbimit pyjor, që të sigurojë njëherësh qeverisjen, inventarizimin, mbarështimin e pyjeve, kërkimin shkencor dhe kontrollin mbi territorin pyjor. Megjithëse, nuk është zhvilluar ndonjë inventarizim i viteve të fundit, nga disa të dhëna pjesore, mendohet se sipërfaqja e zënë me pyje të lartë ka zbritur me 300 mijë ha (pyje të ulta, pyje të degraduar, shkurre ose toka të mbuluara me bimësi pyjore ose që u kthyen në toka bujqësore). Në disa zona ka nisur edhe procesi i shkretëzimit dhe zonat bregdetare po varfërohën nga pyjet.

Gjatë sistemit të kaluar, sipërfaqe të mëdha me pyje u kthyen në tokë bujqësore. Edhe pas vitit 1990, me mijëra hektarë pyje të lartë u prenë dhe u dëmtuan rëndë. Në këto kushte, veç vlerave ekonomike e mjedisore, tokës iu hoq çatia mbrojtëse. Me prerjen e pyjeve në zonat e larta kodrinore dhe malore janë favorizuar përmbytjet dhe erozioni i fuqishëm në zonat e zhveshura me jo më pak se 70 ton/ha, kurse sedimentet janë transportuar në basenet ujëmbledhës të hidrocentraleve dhe në lumenj.

Me qëllim që të rritet efektiviteti i pyjeve në mbrojtjen e tokës, duhet të përmirësohet menaxhimi, kontrolli dhe monitorimi i pyjeve në nivel kombëtar, bashkie dhe privat. Në realitetin e ri të rikonfigurimit të pronësisë dhe ri-inventarizimit kombëtar të fondit pyjor, shërbimi duhet të riorganizohet dhe të ringrihet në përputhje me standardet dhe praktikat globale të trajtimit dhe mbarështimit të qëndrueshëm të këtyre burimeve. Masat më të rëndësishme për reduktimin e degradimit të tokës në zonat e pjerrëta dhe malore kanë të bëjnë me mbrojtjen e pyjeve, pyllëzimet e reja dhe përmirësimet pyjore sipas një plani afatgjatë, ndërtimi i pritave malore (në kushtet kur janë prerë e djegur sipërfaqe të gjëra pyjore), menaxhimi i kullotave, kufizimi i mbikullotjes etj.

Një nga arsyet e prejrjes së pyjeve është edhe eksporti i druve për zjarr. Mirëpo, eksporti i druve, sidomos i pakontrolluar, thellon dëmtimin masiv të pyjeve, sidomos në kushtet kur raporti midis prerjeve dhe mbjelljeve të reja është në disfavor të mbjelljeve. Le të kujtojmë se edhe Viktor Emanueli, i vetëshpallur mbret i Italisë, i Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë, me dekretin nr.171, datë 11.12.1939, ndalonte eksportin e drurit dhe qymyrit të drurit nga Shqipëria.

Shkenca e tokës dhe institucionet e fushës janë instrumentet më të rëndësishëm për të njohur më mirë ndryshimet globale të planetit, fenomenet natyrore në sipërfaqe dhe në thellësi, karakteristikat dhe klasifikimi i tokave sipas sistemeve kombëtare dhe ndërkombëtare të unifikuara, menaxhimi i qendrueshëm i burimeve tokësore. Ato bëjnë identifikimin e problemeve, integrimin e metodologjive, përfshirjen e rezultateve të kërkimit në strategjitë dhe planet e zhvillimit afatgjatë, afatmesëm e afatshkurtër. Ndihmojnë gjithashtu në hartimin e politikave shtetërore të menaxhimit të tokës, parashikimin e rreziqeve natyrore dhe pasojat e tyre, ndryshimet klimatike dhe përshtatjen e zhvillimit të sektorëve të ekonomisë. Shkenca e tokës në vendin tonë, në krahasim me shumë vende të zhvilluara, është relativisht e re (shekulli 20).

Print