• Kreu
  • Natyra
  • Bogova, perla e natyrës që po “pushtohet” nga turistët e huaj

Bogova, perla e natyrës që po “pushtohet” nga turistët e huaj

Një udhëtim drejt Ujëvarës së Bogovës së Skraparit t pavarësisht kapërcimit të shtigjeve të vështira herë- herë me pengesa të ngjan se hap brenda teje, një hapësirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapësirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ardhjen pranverës natyra ka krijuar mjedise të bukura, peizazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujëvara, liqene. Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.

Pasi lë qytetin “e hekurt” mes malesh, Poliçanin, do të ndalosh një copë herë në një fshat që shtrihet poshtë këmbëve të malit Tomor, në Bogovë. Kjo është ndër njësitë që shpesh i ngjan një vendi të shenjtë, ku vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria, vijnë dhe celebrojnë festat fetare, ditëlindjet dhe argëtohen.

Uji i ftohtë që rrjedh nga thellësitë e Tomorrit plak e të madhërishëm, mish i viçit dhe i qengjit, rritur në barin plotë trëndelinë, rakia e fortë dhe e mirë, mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve, ka bërë që ky vend, jo vetëm të mos braktiset asnjëherë nga banorët e kësaj zone, por edhe të vizitohet ditë pas ditë nga njerëz të shumtë. Pikërisht këtë simbiozë të pikëtakimit të këtyre njerëzve nga qytete e zona të ndryshme, ndjen çdo vizitor kur shkel për herë të parë në këtë vend, sepse ai është një vend mitik, pasi si madhështi të tij ka malin e Tomorit, ku dhjetëra e dhjetëra pelegrinë çdo vit shkojnë festojnë me ditë të tëra, duke shijuar mrekullitë dhe shenjtërinë e këtij mali. Këtu në këtë zonë me një bukuri të rrallë natyrore, me një gjelbërim të përjetshëm stinor, gjen ritet, vdekjet gjë që janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme.

Jetesë në gëzim

Mësuesi Kastriot Caka tregon se kur udhëton nëpër këtë zonë të komunës Bogovë, duke u ngjitur në fshatin Bargullas, Nishovë, Sirakë e Selan, menjëherë është e prekshme dhe e ndjeshme, bujaria, fisnikëria dhe shpirti i mirë i këtyre njerëzve. Tek fjalët: “Mirë se erdhët”, “Bujrum”, “Na ka ardhur miku”… ndihet kultura, mirësjellja dhe afrimi i njerëzve, një kulturë e dukshme kjo, tepër njerëzore që i lidh ata me njëri-tjetrin. Qendra e komunës është aty buzë rrugës, ku njerëzit pleksen me banorë vendas, por edhe me kalimtarë, që ndalojnë zbresin nga makinat, pinë një kafe, një gotë ujë të ftohtë, pastaj vazhdojnë……

Jeta e këtyre njerëzve të gëzon, pasi të gjithë janë mirë dhe të gjithë e duan njëri-tjetrin. Një pjesë e fshatrave, punojnë tokën, një pjesë merren me tregti, në lokale ku presin e përcjellin njerëz të shumtë dhe një pjesë tjetër merret me tregtimin e pllakës së gurit në lartësitë e malit të Tomorrit. Turistët e shumtë vendas dhe të huaj janë duke soditur natyrën dhe kanionet gjigante. Targat e ndryshme të makinave tregojnë se vizitorët janë nga vende të ndryshme, të huaj e vendas, që kanë udhëtuar kilometra rrugë për të shijuar natyrën, por dhe ushqimin dhe pijet e zonës. Pika turistike e Bogovës është një nga perlat e natyrës sonë. Në një pushim të shkurtër në qendër të pikës turistike e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dëlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga rendin me revan drejt qiellit. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Bogovë, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësinë e tyre.

Mishi në hell

Pasi kthehesh i lodhur pas piknikut iu drejtohesh lokalëve . Këtu mishi në hell i qengjit, apo i kecit, sipas sezonit, ka shijen e malit dhe si i tillë është zgjedhja e çdo vizitori. Pijet e prodhuara ne zonë, si rakia dhe vera, shoqërojnë mishin, por dhe djathin, dhe perimet e zonës. Një ditë në Bogovë, të bën të harrosh çdo dietë, pasi e tillë është zona tërheqëse ndaj ushqimit, që me mburrje banorët e konsiderojnë bio.

Uji që buron nga mali Tomorr rrëshqet nëpër shkëmbinj afër çdo lokali, duke u bërë një magji rrëzë malit që bën hije në çdo kohë. Vizitorët, që në përgjithësi e njohin zonën pasi kanë përshkruar historinë e Beratit, i tundon për së largu Skrapari, që të kujton pelegrinazhin drejt malit të shenjtë të bektashinjve. Pikërisht, në ditët e pelegrinazhit në Bogovë ndalen në udhëtim pelegrinët nga të katra anët e vendit, por jo vetëm, për tu qetësuar në këtë perlë që natyra i ka falur të gjitha, por qe njeriu duhet të bëjë më shumë. Në oborret e lokaleve, restoranteve, ka gjithmonë mjete të parkuara, gjë që tregon se këtu nën Tomorr, problemet ekonomike mundohen ti mbulojnë me burimet turistike.

Print