• Kreu
  • Natyra
  • Mali i Munellës: shtëpia e fundit e rrëqebullit në Shqipëri mbetet e pambrojtur dhe në mëshirë të fatit

Mali i Munellës: shtëpia e fundit e rrëqebullit në Shqipëri mbetet e pambrojtur dhe në mëshirë të fatit

Në 21 prill 2011, unë bashkë me kolegun Bledi Hoxha, të dy kërkues shkencorë pranë Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), po kontrollonim një prej disa kamerave-kurth që kishim vendosur në shpatet e Malit të Munellës, kufiri natyror midis Pukës dhe Mirditës, në kuadër të Projektit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit. Kamerat-kurth janë pajisje me shkrepje automatike që shërbejnë për fotografimin e kafshëve në natyrë pa patur nevojë për prezencë njerëzore dhe kësisoj bëjnë verifikimin e pranisë së llojeve në një habitat të caktuar.

Pas më se 3 vitesh kërkime me anë të kësaj metode në rajone të ndryshme të Shqipërisë (Shebenik-Jabllanicë, Lugina e Valbonës, Balgjaj, Gërmenj-Shelegurë, etj.) që nga viti 2008, pamja që na u shfaq përpara ekranit në terren ishte pothuajse e pabesueshme. Një individ rrëqebulli – gjitari më i rrallë dhe më i rrezikuar në vend dhe në rajon – ishte fotografuar nga një kamerë e vendosur në shpatin jugor të Malit të Munellës. Pas shumë përpjekjesh dhe mundi për të zbuluar nëse rrëqebulli mbijetonte në Shqipëri më në fund kishim provën e pamohueshme të prezencës së këtij lloji. Fill pas këtij zbulimi, PPNEA intensifikoi kërkimet në terren në rajonet malore të Pukës dhe Mirditës me epiqendër Malin e Munellës, duke implementuar fushata të përvitshme monitoruese me kamera-kurth nga viti 2012 deri në ditët e sotme.

Pas më se 6 vitesh kërkime në terren, sot dimë se një mini-popullatë e rrëqebullit të Ballkanit e përbërë nga 5-6 individë mbijeton në Malin e Munellës dhe rajonet malore përreth. Edhe pse ky numër mund të duket i vogël, është një pjesë e konsiderueshme e popullatës së rrëqebullit në Ballkan. Rrëqebulli i Ballkanit, një nënlloj i rrëqebullit Euroazatik, vlerësohet si i rrezikuar në mënyrë kritike (Critically Endangered) në Listën e Kuqe të Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) me një popullatë të përbërë nga jo më shume se 20-39 individë të rritur. Nisur nga kjo mund të përllogarisim që në Munellë mbijeton rreth 20-25% e këtij nënlloji në nivel global.

Të vetmet rajone ku rrëqebulli riprodhohet janë Parku Kombëtar i Mavrovës në Maqedoni dhe Mali i Munellës në Shqipëri. E teksa në Maqedoni habitatet ku rrëqebulli mbijeton gëzojnë një mbrojtje zyrtare nisur nga statusi ‘Park Kombëtar’ që ka Mavrova me një sipërfaqe prej 730 km2, në Shqipëri rajonet e rrëqebullit mbeten të pambrojtura dhe në një gjendje të mjerueshme përsa i përket ruajtjes së habitateve natyrore. Gëzimi fillestar i zbulimit të këtij lloji në Shqipëri ishte në antonim të plotë me gjendjen e habitateve ku rrëqebulli jeton. Pyjet në Malin e Munellës dhe rajonet përreth janë shkatërruar dhe vazhdojnë të shkatërrohen në një mënyrë barbare, pa asnjë kriter apo kontroll nga institucionet përgjegjëse.

Shpallja e moratoriumit të pyjeve në Shkurt të vitit 2016 nuk solli asnjë përmirësim të dukshëm në malësitë e Pukës dhe Mirditës ku prerjet masive vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. E njëjtë është situata dhe lidhur me gjuetinë. Edhe pse nën regjimin e një moratorimi gjuetie, gjuetarët vazhdojnë të pashqetësuar në aktivitetin e tyre në Malin e Munellës duke përbërë një rrezik direkt për mbijetesën e rrëqebullit dhe llojeve të tjera. Një numër i madh minierash dhe guroresh operojnë apo planifikohen të fillojnë punën në një të ardhme të afërt duke shtuar presionin mbi habitatet natyrore dhe duke rritur shqetësimet në këto zona, të cilat, për nga rëndësia e ruajtjes së rrëqebullit në nivel kombëtar dhe global, duhet të kishin prioritet maksimal për mbrojtje. Në vend të mbrojtjes, malësitë e Pukës dhe Mirditës, vazhdojnë të vuajnë pasojat e një neglizhence aktuale dhe historike në aspektin e ruajtjes së ekosistemeve të tyre.

Historikisht, që nga vitet 1920-30 e deri ditët e sotme, këto rajone janë parë si vende shfrytëzimi maksimal të resurseve pyjore dhe minerare dhe janë ‘diskriminuar’ përsa i përket konsideratës minimale të ruajtjes së natyrës. Sipërfaqet me status të mbrojtur në këto rajone janë pothuajse të papërfillshme, ku edhe ato pak që kanë statusin ‘zonë e mbrojtur’ mbeten të tilla vetëm në letër dhe pa asnjë masë ruajtjeje konkrete në terren. Në këto kushte duket pothuajse si një mrekulli fakti që rrëqebulli i Ballkanit ka arritur të mbijetojë në Malin e Munellës dhe rajonet përreth. Ne sot mund vetëm të imagjinojmë se çfarë pyjesh përrallorë kanë patur këto zona përpara shkatërrimeve masive; të afta të sigurojnë mbijetesën e këtij lloji deri në ditët e sotme. Gjithsesi tashmë gjendemi në një pikë kritike dhe nëse situata nuk ndryshon së shpejti, rrëqebulli rrezikon të zhduket përfundimisht nga vendi ynë. Nëse duam që të sigurojmë mbijetesën e këtij lloji, lipset që Munella dhe malësia përreth të fitojnë statusin e një zone të mbrojtur. Kjo do të jepte mundësinë e ruajtjes atyre pak habitateve pyjore të mbetura dhe do të siguronte rimëkëmbjen e tyre në të ardhmen. Shtëpia e fundit e rrëqebullit në Shqipërisë, Mali i Munellës, është i vetmi shans mbijetese i kësaj krenarie të natyrës tonë.

Print