A po i zhduk bletët hashashi?

Ekspertët e bletarisë ka dhënë shpjegimin e tyre nëse rënia e numrit të bletëve në Shqipëri lidhet me hashashin. Të ftuar në “Pasdite në Top Channel”, ata kanë sqaruar se nuk ka asnjë studim që të lidhë zhdukjen e bletëve me kanabisin. Lejla Shehu, kryetare e shoqatës së bletërritësve tha: Prej muajit dhjetor është vënë re një rëni drastike e numrit të bletëve në Shqipëri. Kjo lidhet me disa sëmundje që i kanë bletët dhe që fatkeqësisht këtë vit ishin edhe më të përhapura. Banori, i cili përhapi panikun se bletët ia kishte zhdukur hashashi tha në një intervistë për “Pasdite në Top Channel” se bletët e tij dyshon se i janë dëmtuar nga ilaçet e skaduara, megjithatë nuk ka pasur mundësi ekonomike për të bërë analiza.

“Unë kam dëgjuar se në Stëbvlevë janë dëmtuar bletët nga hashashi, por jo në fshatin tonë. Fshati Orenjë ka qenë për herë i pastër dhe vazhdon të jetë”, tregon Refik Kutrelli.

Ndërkohë i ftuar në “Pasdite në Top Channel”, bletërritësi Enver Dyrma ka hedhur poshtë mundësinë e ndikimit të kanabisit në dëmtimin e bletëve edhe në zonën e Stëblevës për të cilën është thënë nga disa bletërritës të tjerë.

“Unë aktualisht bletët e mia i kam në Stëblevë dhe nuk kanë asnjë dëmtim. I kam lëvizur në të gjithë Shqipërinë dhe nuk kam pasur probleme. Nëse hashashi do të ishte problem atëherë pse nuk u zhdukën bletët në Lazarat”, thotë Dyrma. Veterineri Abdyl Arifi thotë se në Shqipëri duhet bërë më shumë për kujdesin ndaj bletëve dhe tregon se nuk ka asnjë studim as në botë që të lidhë zhdukjen e bletëve me kultivimin e kanabisit.

Në lidhje direkte për emisionin “Pasdite në Top Channel”, kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra tha se gjithçka është “fake news”.

“E publikoi një portal dhe të gjithë e morën pastaj dhe unë nuk po lidhesha dot me asnjë prej tyre për ta sqaruar dhe për të treguar këtë situatë. Nuk ka asnjë lidhje. Në zonën e Librazhdit është mjalti më i mirë në Shqipëri dhe të gjitha këto dezinformime bëhen për të dëmtuar zonën dhe për t’u përdorur politikisht”, thotë zoti Gurra.

Për herë të parë lidhja mes bletëve dhe hashashit u bë nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një vizite në Elbasan për “Ditën e Verës”, ku me humor pyeti në një nga stendat që shitej mjaltë, nëse bletërritësit kishin pasur ndonjë problem me hashashin, pasi kishte dëgjuar se mund të ishin dëmtuar prej tij. Duke buzëqeshur të rinjtë i thanë që ata nuk ishin prekur nga kjo gjë, pra bletët e tyre nuk ishin ndikuar nga hashashi.

Print