• Kreu
  • Natyra
  • Laguna e Karavastasë, një ditë në “mbretërinë e shpendëve”

Laguna e Karavastasë, një ditë në “mbretërinë e shpendëve”

Për herë të parë, Shqipëria ka nisur inventarizimin e plotë të shpendëve ujore, me një grup pune të përbërë nga ekspertë mjedisorë shqiptarë dhe të huaj. Pas Kune Vain të Lezhës, në Parkun Kombëtar të Divjakës 25 ekspertë kanë punuar për regjistrimin e gjithë e shpendëve ujore dimërore. “Ky projekt është në lidhje me gjithë censusin që bëhet në Europë, dhe në shtete të tjera bëhet numërimi paralelisht me ne. Arsyeja është teknika që përdoret, pasi shpendët janë në lëvizje marzhi i gabimit do jetë i vogël”, shprehet drejtori i parkut kombëtar të Divjakës, Ardian Koçi.

“Do bëjmë sintezën e të dhënave, do t’i bëjmë publike së shpejti, në mënyrë që të gjithë të njohin çfarë shpendësh ka në Shqipëri cilat janë zonat më të rëndësishme dhe të kuptojmë sesa e rëndësishme është mbrojtja e kësaj larmie për të gjithë shqiptarët”, thotë Taulant Bino, profesor i Shkencave të Natyrës.

Pjesë e projektit, studiuesi i shpendëve Oliver Avramoski, tregon rendësin e inventarizmit e cila është kryer paralelisht në mbarë Europën teksa shpreh merakun që shpendët e rrallë si “Pelikani Kaçurrel” të mbrohet me fanatizëm nga autoritet shqiptare. Kjo specie e rrallë ka filluar të shtojë vezët e para në Karavasta, ku është i vetmi vend i posaçëm në Shqipëri ku folemizon ky lloj pelikani.

“Po ndihmojmë kolegët tanë shqiptarë që punojnë në zonat e mbrojtura dhe më gjerë. Po i ndihmojmë duke i dhënë asistencën dhe eksperiencën tonë për të bërë inventarizimin, që ata ta shtrijnë më pas në mbarë vendin. Pse është e rëndësishme që këta njerëz ta bëjnë këtë? Shumë shpendë që vijnë këtu në periudhën e dimrit, kanë rëndësi në nivel europian, nëse shpendët janë të mbrojtur në Gjermani në pranverë dhe më pas vijnë këtu atëherë edhe në këtë vend duhet te mbrohen me fanatizëm”, thotë Oliver Avramoski, studiues i Shkencave të Natyrës. “Në krahasim me 2014 kishim 37 çifte riprodhues me 21 zogj në 2015 kishim 46 çifte riprodhues 46 zogj. Kemi rritje të koeficientit të çeljes së zogjve”, shprehet drejtori i parkut kombëtar të Divjakës, Ardian Koçi.

Parku Kombëtar i Divjakës është një mjedis i mbresëlënës, për t’u vizituar gjatë gjithë stinëve dhe veçanërisht në dimër, ku vizitorët e interesuar mund të shikojnë shpendët ujore dimërore dhe botën shumë të pasur bimore. Por numri i vizitorëve shqiptarë vijon të jetë në shifra modeste. Në lagunën e Karavastasë strehohen gjatë gjithë vitit mbi 245 specie shpendësh. Për cilindo vizitor të stinës së dimrit, mbresëlënës është vrojtimi i mbretit të Lagunës, “Pelikanit Kaçurrel”, por edhe i shpendëve shtegtarë dhe dimërues, i rosave dimëruese, baltakëve të vegjël. Gjithashtu një panoramë të rrallë dhurojnë 6 llojet e rosave, përfshi edhe rosën e egër, flamingot, lejlekë, lauresha, shqiponja e detit, çafka e madhe e bardhë, pulëbardha, karabullakë, zhytësat, etj. Kryesisht janë të huajt më të interesuarit për të vizituar Lagunën e Karavastasë.

Tashmë “Bird Watching” ose “turizmi i të apasionuarve të shpendëve”, është lloji i risia e turizmit sot në botë që tërheq miliona turistë. Në muajin prill grupet e para të turistëve të huaj pritet që të mbërrijnë në Shqipëri, për të vëzhguar nga afër specie e rralla të shpendëve në lagunat shqiptare. Profesori i Shkencave të Natyrës, Taulant Bino, e vlerëson Parkun Kombëtar të Divjakës një segment shumë interesant në tregun e turizmit shqiptar për vëzhgimin e shpendëve. “Bird Watching” sjell miliona për një vend, këta turistë janë të interesuar vetëm për shpendët, në prill presim e grupet e para në disa vende turistike”, tha Taulant Bino, profesor i Shkencave të Natyrës. Projekti i financuar nga Bashkimi Europian i emërtuar “Natura 2000” mbështet Agjencinë Kombëtare te Zonave te Mbrojtura dhe strukturat e saj rajonale qe janë përfshirë në nismën e rëndësishme te regjistrimit të shpendëve ujore dhe më pas të të gjithë shpendëve në vend. Kjo është iniciativa e parë e cila do të finalizohet me ngritjen e një rrjeti të plotë të dhënash për gjithë shpendët në hapësirën shqiptare.

Print