Është koha të dëgjojmë këmbanat!

Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale ka vite që ngre shqetësimin e shkatërrimit të pyllit shqiptar, duke iu drejtuar me rezoluta autoriteteve më të larta drejtuese të shtetit. Një zë vazhdimisht i humbur në shkretirën e shurdhërisë së politikanëve, që në 27 vitet e pas komunizmit nuk arritën qoftë ti japin vendit një ligj për pyllin shqiptar. Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë është dobësuar e pakësuar së tepërmi si nga prerja, zjarret, kullotja ashtu edhe gërmimet e gërryerjet.

Një klasë politike nëse do ishte normale duhet të reagonte. Pas vitit 2000 taksapaguesit shqiptarë mbajnë si pjesë të qeverisjes edhe një Ministri që monitoron e kujdeset për mjedisin shqiptar dhe kjo Ministri që është parë komode që t’u dhurohet partive të vogla, më të cilat ndahet qeverisja, ka meritën e moskallzimit të situatës ku është katandisur pylli e mjedisi shqiptar. Nëse do funksiononte, qoftë edhe minimalisht, duhej t’u tregonte taksapaguesve e opinionit shqiptar që pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për atdheun e jetën tonë, djepin që na ka lindur e na mban të gjallë. Nëse i bëhet krahasim gjendjes dhe ecurisë së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin që në 27 vitet e fundit, dëmet ekologjike e mjedisore kanë qenë më të mëdha se sa ato të ndodhura në disa shekuj bashkë, që kur disponohen materiale e dëshmi të shkruara e trashëguara. Realiteti është i hidhur, po të mendosh që shoqëria jonë pretendon se është në progres e aq më tepër po realizon kritere për t’u bërë e pranueshme nga bashkësia europiane.

Ne shkatërruam pyjet, i vetmi sistem që natyra e ka pajisur me një veçori, që i mungon si bujqësisë ashtu edhe të gjithë sistemeve të tjera që kontribuojnë për njerëzimin. Pylli e siguron ushqimin dhe energjinë e tij, brenda për brenda sistemit, duke i mundësuar dhurata të pafundme qenieve të tjera. Të gjitha sistemet e tjera varen nga energji të importuara, të cilat janë të parinovueshme, dhe shkaktojnë ndotje të planetit e rrezikim të jetës.

Praktikisht duket sikur nuk dimë të shohim, mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia e politikanëve, por edhe mediave tona për të reaguar kur është cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë... e dalëngadalë... pa tokë. Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën, duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të çdo individi të shoqërisë karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve dhe bimësisë së maleve do të vinte nga faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte i qetë në ndërgjegjen e tij, por është fakt se shkatërrimi vjen vetëm nga veprimi i gabuar dhe i verbër i pjesës politikë bërëse e politikë zbatuese, si edhe nga mosveprimi i pjesës së sunduar të shoqërisë tonë, e ky realitet monstruoz e vendos gjeneratën e intelektit aktual të vendit tonë në një situatë të vështirë morale.

Katastrofa ekologjike është ulur këmbëkryq në malet e kodrat tona dhe shokon këdo që sadopak mendon, që në fakt duhet ta trembë realisht gjeneratën që e jetoi, e cila ndoshta padashje kontribuoi të arrihej në këtë stad dhe nuk arriti ta ndalojë të keqen. Çfarë ka ndodhur, nuk mund të zhbëhet! Kapërcimet që bëhen shpesh nga ata që shoqëria jonë i paguan për ta parandaluar këtë gjëndje, shpejt do i përgjigjeshin arsyetimit tonë: nuk kemi të dhëna, duhen bërë vlerësime. Në fakt, tani secili duhet të bindë veten se është koha për veprim. Federata Kombëtare është plotësisht e bindur, që i vetmi burim kritik që i duhet popullit është vet populli. Ne, vetvetja e secilit, nëse e organizojmë mendimin tonë, nëse marrim një vendim për të gjetur në mënyrë urgjente zgjidhjen, si komb dijet i kemi të mjaftueshme për ta gjetur atë. Dhe për më tepër, nëse e shpëtojmë tokën tonë nga kjo katastrofë ekologjike, i kemi shërbyer mbijetesës sonë dhe brezave që na vijnë pas.

Të luftosh me veten tënde, të jesh militant partiak, e të verbohesh prej atij militantizmi përballë kësaj katastrofe, është realisht marrëzi. Ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, medias, librave që janë shërbyes civilë e nuk u tregojnë taksapaguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri qeverisë, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Imagjino një vend krejt i vogël si yni, inteligjenca arriti të japë një kontribut realisht rilindës, para një shekulli, duke u organizuar në Ballkan, Europë e Amerikë, duke e vënë interesin e kombit, mbi shpërblimet që i ofronte perandoria. Inteligjenca e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot, shpesh ka rënë në kurthin e politkës së ditës duke u shëndrruar edhe në një instrument partizan dhe duke i shërbyer manipulimeve po aq sa dijes dhe zhvillimit.

Hapja e vendit pas viteve 1990 ishte një shpresë e hapjes së portave të mendimit e bashkëpunimit perëndimor, por presioni e ndjellja e pushtetit me të gjitha mjetet shpesh e ka mpirë guximin, duke e synuar militantizmin si burim ofiqesh e të ardhurash ekonomike. Se sa ka evoluar inteligjenca mjafton një tregues tepër i thjeshtë, që është qasja dhe kontribuimi në formulimin e politikave, legjislacionit, kërkimit shkencor dhe dijes – që së bashku kanë rezultuar në gjëndjen aktuale – dhe trendet ku po e çojmë natyrën shqiptare. Mbetet enigmë se nga vjen kjo heshtje, kontribut për politika të gabuara apo moskundërshtimi i politikave e vendimeve të gabuara të marra, si nga ligjvënësit apo qeverisësit, të cilët edhe ata vetë normalisht do duhej të ishin të shkolluar e të kuptonin dëmin që shkaktojnë.

Si përfaqësues të përdoruesve të pyjeve shqiptarë, Federata ka bindjen se situata në të cilën janë aktualisht pyjet, i ka bërë të ndjeshëm jo vetëm banorët e zonave rurale, por çdo banor që mbërrihet nga media apo e sheh me sytë e tij këtë situatë. Kjo gërryerje e jetës së maleve, në të gjitha kuptimet, është koha të vendosë politikë bërësit para dilemës: ta lemë të shkatërohet pa rikthim, duke u pakësuar hapësiren e jetës gjeneratave të ardhshme, apo të gjithë së bashku t’i kërkojmë e t’i gjejmë shtigjet për të rikthyer jetën në malet tona?

Shqipëria bëri gabime të rënda në ndarjen e tokës bujqësore, dy herë më e pakët krahasuar me tokën pyjore. Është koha kritike që të hartohet strategjia e ndarjes së tokës pyjore. Pasi strategjia të hartohet, ajo hidhet në diskutim popullor dhe nëpërmjet një referendumi popullor, vetë populli vendos për pronësinë e ardhshme të pyjeve. Fati i pasurive publike njihet pothuaj nga të gjithë. Ato lihen të shkatërrohen e më pas privatizohen. Qeveria e ka borxh që të organizojë një referendum mbarëkombëtar, ku shqiptarët të pozicionohen, se cila duhet të jetë forma e ardhshme e pronësisë së kësaj pasurie që jua kanë lënë të parët, duke bërë përpjekje maksimale që të korrigjohen gabimet që u bënë në ndarjen e tokës bujqësore.

Informacioni, humanizmi, shkenca apo mirëkuptimi shoqëror, janë ashtu si e gjithë jeta jonë në një tranzicion të lodhshëm. Të parët tanë i patën malet si strehë dhe burim ushqimi, e bashkë me ta arritën të mbijetonin dhe të na e silllnin këtë pasuri deri në kohët e quajtura moderne. Ata e përdorën pyllin si strehë, burim ushqimi, burim ngrohje e ndriçimi. Në ato rrethana mësuan dhe na e lanë trashëgim emërtimin e sendeve e fenomeneve, më pas i kategorizuan, si dhe u gjetën funksionin e përdorimin, çka e ndanë me njëri tjetrin, si me gojëdhëna ashtu edhe me rregulla të vendit apo kanune.

Shkollimi klasik erdhi vonë në shoqërinë tonë. Të etur për dije, shumë gjëra u imponuan në nxitim, dhe shumë nga dijet që populli i kishte përftuar në bashkëjetesën pikërisht me natyrën tonë të brishtë, trashëgimia më e madhe që na lanë të parët, sikur të ishim të nëmur, u injoruan, aq sa edhe publikisht u shpall luftë kundër mendimeve apo sjelljeve të vjetra e prapanike.

Print