“Çaji i malit po zhduket”

Çaji i malit, i përdorur aq shumë në familjet shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës se dimrit, kur edhe virozat janë më shumë prezente, është në rrezik zhdukjeje. Alarmin e jep botaniku Jani Vangjeli, i cili sjell një studim të thelluar prej 950 faqesh mbi florën shqiptare, që për herë të parë vjen në formën e një atlasi. “Çaji i malit është gjendur në malin e Polisit një ekzemplar këtu, një atje, ndërkohë që përpara formonte sfond, tani është gati në rrezik zhdukjeje. Ky çaj që shesin fshatarët, është i kultivuar, nuk e ka aromën e ambientit natyror. Pse ka ndodhur kjo?

Sepse në vend që ta presin me gërshërë e të marrin vetëm degët që t’i përdorin për çaj, ato i shkulin me gjithë rrënjë edhe i marrin degët në shtëpi. Duke i shkulur me gjithë rrënjë ai detyrimisht zhduket”, thotë Jani Vangjeli, botanist.

Atlasi i Florës së Shqipërisë është një studim voluminoz që përfshin 1.700 specie bimësh spontane e të kultivuara në Shqipëri që në vitin 1935, me hartat e shpërndarjes për secilën specie; ku nuk mungojnë edhe bimët endemike që rriten specifikisht në vendin tonë si lule basani apo manushaqja e Dukagjinit, si edhe specie të tjera në rrezik zhdukjeje.

“Rrezik tjetër në zhdukje do të vija Gentianën, është një bime mjekësore me vlera shumë të larta. Quercus robur është një tjetër bimë që po zhduket, që në shqip quhet rrënjë, përpara ka pasur masive pyjore në zonen aluvionale të bregdetit, në vende me lagështi, tani numërohet në ekzemplarë shumë të rralla”, vijon Vangjeli.

Përgatitja e këtij studimi i ka marre 10 vite kohë akademikut Vangjeli, por ai nuk do të ndalet, pasi është në punë e sipër për të sjellë volumin e dytë të këtij atlasi, ku do të përfshihen 1.800 specie të tjera bimësh.

Print