• Kreu
  • Natyra
  • WWF: Vendimi i Gjykatës për HEC-et kërcënim për biodiversitetin në Valbonë

WWF: Vendimi i Gjykatës për HEC-et kërcënim për biodiversitetin në Valbonë

Fondi Botëror për Natyrën, WWF, organizata kryesore për mbrojtjen e jetës së egër dhe specieve në zhdukje në botë, shprehu keqardhje për vendimin e gjykatës për lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve ne Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës përmes një deklarate për shtyp të shtunën. WWF Adria, paralajmëroi gjithashtu se ky vendim i gjykatës do të hapë rrugën për dëmtim në mënyrë të konsiderueshme dhe pa kthim të biodiversitetit dhe ekosistemit të kësaj zone të mbrojtur.

“Meqenëse vendimi për zhvillimin është bazuar në vlerësim të dobët të ndikimit në mjedis dhe në një proces me pjesëmarrje joadekuat të publikut, kemi frikë se do të vendoset një precedent i rrezikshëm që mund të dërgoj në shkatërrimin e lumenjve dhe burimeve të ujërave të ëmbla në gjithë vendin,” tha Petra Remeta menaxhere e programit për ujërat e ëmbël në WWF Adria.

Të premten Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi padinë e banorëve të Margegajt dhe shoqatës Toka, që kërkonte anulimin e lejeve të ndërtimit të HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Megjithatë gjykata e cilësuar si të ligjshëm ndërtimin e HEC-eve dhe ka lejuar vazhdimin e punimeve.

Kryetarja e shoqatës TOKA dhe një nga banoret më të zëshme të Valbonës kundër HEC-eve, Catherine Bohne u shpreh pas vendimit se çështja do të vazhdojë përmes ankimimit.

“Burimet e ujit dhe biodiversiteti janë shumë me rëndësi që të mos përfillen kur merren vendime për zhvillim të hidrocentraleve, dhe duhet të merren parasysh mendimet e komunitetit lokal për atë që ndodh në vendin e tyre,” tha Bohne.

Prej më shumë se një viti e gjysmë banorët dhe aktivistët mjedisorë i kanë kundërshtuar me forcë vendimet për të ndërtuar hidrocentrale në lumin Valbonë, të cilat qeveria i ka vulosur në vitin 2009 dhe 2013.

Ata thonë se ndërtimi i hidrocentraleve do të dëmtojë mjedisin dhe potencialin turistik të zonës së Alpeve Shqiptare. Banorët gjithashtu kanë denoncuar vazhdimisht dhënien e lejeve pa konsultim publik që parashikohet në Konventën e Aarhusit, që detyron përfshirjen e komunitetit në vendimmarrjen e çështjeve mjedisore.

Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e 14 hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës dhe tributarët e tij, ndërsa në dekadën e fundit qeveria ka lëshuar leje ndërtimi për 526 hidrocentrale në të gjithë Shqipërinë.

Kjo mënyrë e prodhimit të energjisë është kritikuar vazhdimisht nga organizata mjedisore ndërkombëtare, të cilat i kanë bërë thirrje Shqipërisë të drejtohet në forma më të reja dhe më miqësore me natyrën për nxjerrjen e energjisë.

Print