• Kreu
  • Natyra
  • A duhen ripyllëzuar sipërfaqet e djegura?

A duhen ripyllëzuar sipërfaqet e djegura?

Vera 2017, do të mbahet mend gjatë jo për të mirat që solli, por për temperaturat e larta për më shumë se një muaj, për mungesën e reshjeve si dhe për më shumë se 950 zjarre të lemeritshme në pyje të lartë apo të ulët. Këto zjarre janë një thirrje- kushtrim për qytetarët e kësaj toke: -Mendoni e veproni sa nuk është vonë, se këtu do të jemi të detyruar të jetojmë! Në këtë kontekst, i tronditur nga ky realitet mendoj që të mos hesht, por të flas, të kontribuoj sado pak.

Ndërkaq do të kërkoja K/Ministrit që të urdhërojë ngritjen e një grupi pune me specialistë të energjetikës, bujqësisë, pyjeve, ujërave, të meteologjisë, të emergjencave civile, të kompletuar me juristë e sociologë me detyra mbledhjen e të dhënave nga institucionet përgjegjëse, hartimin e bilancit, të analizojë në kompleks dhe t’i japë përgjigje pyetjeve. “Këto zjarre janë si pasojë e temperaturave të larta ekstreme dhe mungesa e reshjeve, apo pasojë e politikave te gabuara sociale e penale të ndjekura në këtë vend?”, “Sa hektarë pyje, kullota, rrënjë dru frutorë, ullinj e shtëpi u bënë shkrumb e hi dhe se në konkluzion sa dëm u krijua dhe sa investime duhen për ta reabilituar?”

I gjithë studimi në fund duhet koncentruar në vlerën e dëmit total si shoqëri (shtet) dhe specifik në Euro/për banorë të këtij vendi. Kjo përsa i përket vlerësimi, ndërsa si pjesë e dytë edhe këtë të ndarë në dy pjesë (kapituj): Shkaqet që sollën këtë dëm, raportin relativ midis shkaqeve, faktorëve subjektiv (që varen nga njeriu) dhe atyre objektivë si dhe masat që duhen marrë që Shqiperia të mos ngjajë me një fushë luftimi ku pushtuesi në terheqje e sipër bën shkrumb e hi çdo gjë që lë mbrapa.

Konkluzionet të kthyera në gjuhën e thjeshtë, ku të ndahet pesha e faktorëve natyrorë dhe atyre shoqëror që demonstrojnë keq-qeverisjen 27 vjeçare kundër çdo gjëje publike, të bëhen të ditura për publikun, i cili shpresoj të bëhet më i vetëdijshëm për sfidat që na presin në raport me forcimin e shtetit si garant i ruajtjes identitetit shqiptar, nëpërmjet rritjes mirëqënies dhe përshtatjes me ndryshimet klimatike si faktor që sjell rrezik edhe për sigurinë kombëtare. Natyrisht sjellja në vemendje të popullatës të dëmeve që erdhën prej zjarreve, nga marazi ndaj qeverisë ku mesa duket gjeti vend shprehja e popullit “Për inat të sime vjerrë shkoj e flej me mullixhinë”, apo makutëria në drejtim të fondeve të Emergjencës Civile, gjetën elementë që shfrytëzuan lehtësinë, që sollën temperaturat e larta për ndezjen e zjarreve.

Në vendin tonë sado që mund të arrijnë temperaturat 38 deri në 43 apo edhe 50 gradë celcius, megjithse janë me pasoja mbi njerëzit, kafshët, bimët e arave, përsëri nuk shkaktojnë zjarre. Që të digjet biomasa e tharë e nxehur në këto temperatura natyrore sipas reaksionit C+ O2 = CO2 është e pamundur. Që të ndizet kërkon një flakë ndezje ose nxehje në temperatur 300 – 425, minimumi 250 gradë celcius. Pra zjarret në pyje shkaktohen në mënyrë natyrore, jashtë vullnetit të njeriut, nga vullkanet, rrufeja apo nga ndonjë shkëndijë elektrike. Ndërsa në të gjitha rrethanat e tjera ato janë të shkaktuara nga dora e njeriut.

Sa më sipër, argumentohet nga shefi i Emergjencës Civile, z. Shëmsi Premci se zjarret kanë qënë të orientuara në zona turistike, objekte kulti, objekte të rëndësisë së veçantë etj. Pra kemi zjarrvënie selektive, fenomen që natyra nuk e bën.

Zjarrvënia në mënyrë selektive më sjell ndërmënd një nga tezat e artit ushtarak: “Godite armikun atje ku i shkakton dëmin më të madh”. Pra keqbërsit duhen studiua, analizuar dhe njohur filozofia e tyre, në të kundërt do të jemi të pasuksesshëm në parandalimin e zjarrvënies. Pikërisht për këtë e shoh të nevojshme që të studjojmë e gjejmë metodat më efikase të luftës kundër krimit mjedisor, që në rastin konkret nuk duhet neglizhuar versioni që të jetë krim i organizuar e jo spontan – rastësor, gjë që shtron detyra për shtetin si për institucionet hartuese e zbatuese të politikave zhvillimore e sociale që të plotësojnë standardet minimale për qëniet njerëzore (që t’ju japë kulaçin kontigjentit të mundshëm potencial, që rekrutohet për këtë lloj krimi në mënyrë që numri i tyre të ulet në minimum, në këtë menyrë do të rritet efiçienca e punës nga organet e policisë, Prokurorisë e Gjykatës.

Ndër institucionet hartuese e zbatuese të politikave sociale të kërkohet të mbajë peshë arsimi, shendetësia e Ministria e Financës, të cilat sa më parë duhet të paraqesin për miratim në qeveri projekt studimin, projekt ligjin mbi minimumin jetik dhe plotësime të tjera për mbrojtje sociale në Shqipëri. Në këtë mënyrë, shqiptarët pas 27 vitesh përdhosje e cvetnim të fjalës Atdhe të fillojnë të ndjejnë se dhe ne kemi një shtëpi të vogël të përbashkët që është Shqipëria, para se të na pranojnë në shtepinë e madhe Bashkimi Europian, që kemi 27 vjet që e ëndrrojmë e nuk jemi qytetar pa shtetësi apo refugjat në tokën tonë.

Që të funksionojë sistemi, duhet të ruhet strikt raporti në marrëdhënien e ekonomisë së tregut dhe të të drejtave njerëzore, ku në radhë të parë duhet të jenë të drejtat bazë si ajo për ekzistencë, që hyn e drejta për shtetësi reale jo vetëm de-jure, që pason me të drejtën për ushqim, ujë, strehë, mjedis të pastërt e në vijim me të drejtat e tjera. Pra që të funksionojë sistemi, sipas Francis Fukuyamës, shteti duhet të mbajë tre funksione ndër të cilat po citoj vetëm njerin që i përket kësaj teme që po diskutoj: shteti duhet të sigurojë të mirat publike (ato që nuk mund t’i sigurojë tregu). Le të kthehemi tek mjedisi: pyjet, kullotat, përmbytjet, thatësirat apo epidemitë. Në të gjitha këto individët kontribuojnë, por që të sigurohet e mira publike duhen zgjidhje komplekse multidisiplinare dhe se këto zgjidhje komplekse vetëm shteti i centralizuar mund të realizojë të mirën publike me eficiencën maksiimale. Natyrshëm lind pyetja PSE?

1- Zjarret mund të ndizen nga individë të papërgjegjshëm, por as shuarja e zjarreve e aq më tepër parandalimi, as edhe rehabilitimet nuk mund të bëhen pa mobilizim shoqëror e në mënyrë të decentralizuar, aq më keq nga privati (i cili kerkon fitimin e mënjihershëm). Shembujt e decentralizimit nuk i shërbejnë Shqipërisë, sepse njësitë e decentralizuara në botë kalojnë shumëfish madhësinë e Shqiperisë në sipërfaqe apo popullësi.

2- Po kështu Epidemitë si Gripi, Tifo, Kolera, Antraksi, Bruceloza, Dermatoza Nodulare , Reja e Karkalecave, Brejtsat, Mushkonjat nuk mund të bëhen në mënyrë të decentralizuar, sepse ato nuk njohin kufij administrativë apo elektoralë siç i kemi ne.

3- Lufta kundër thatësirës, përmbyetjeve apo temperaturave ekstreme nga ndryshimet klimatike nuk mund të bëhen në mënyrë të decentralizuar, por të centralizuar fuqishëm, sepse edhe këto nuk njohin kufij administrativë. Intensiteti i këtyre goditjeve është shumë dimensional e si rezultat i ndërveprimit të shumë variablave e për rrjedhojë mbrojtja është detyrë e vështirë, komplekse që nuk mund të zgjidhet nga privatët, por detyrimisht nga nje rrjet institucionesh. Nga ketej del se është detyrë dhe përgjegjësi publike që i takon shtetit për ta menaxhuar e zgjidhur.

Sipas studimeve te Bankës Botërore dhe të EVN Starkraft-2009, nga ndryshimet klimatike Shqipëria klasifikohet si zonë “Mesdhetare Subtropikale”, që do të thotë dimër i butë me 80% të reshjeve vjetore nga nëntori deri në mars, e me numër të ditëve me shira të rrëmbyeshëm me më shumë se 77 milimetër /24 orë nga një ditë /vit për periudhën 1980—2008 do të jetë 2 deri në 3 ditë/vit. Nga këtej del detyra e mbrojtjes nga thatësira, që do të thotë siguro ujin per vaditje e nevoja të tjera dhe e dyta ndaloje atë në rezervuar me prita e diga që të mos kemi përmbytje. Në vendin tonë pavarësisht nga studimet që disponojmë sot për ndryshimet klimatike, në vitet 70 është investuar shumë për potencialin që kishte vendi ynë. U ndërtuan 626 rezervuarë me aftësi ujëmbajtëse afër 560 milionë metër kub dhe aftësi vaditëse nga 130 deri në 190 mijë hektarë kundrejt 423 mijë hektarë që vaditeshin në vitin 1989 ose 60 % e sipërfaqes totale 704 000 ha. Aktualisht në gjithë Shqipërinë sipërfaqia nën ujë është afër 43% e siperfaqes totale prej 676027 ha ose 130 000 ha më pak.

Gjatë këtyre 27 viteve demokraci, në vend që të rritej siperfaqja nën ujë në Shqiperi, ajo eshtë zvogëluar në shifër absolute për ~ 190 000 ha dhe në shifër relative për 17 %. Aktualisht 65% e 626 rezervuarve kanë të dëmtuar trupin e digës, shkarkuesin katastrofik apo të dyja së bashku dhe për pasojë apriori mund të themi se sasia e ujit disponibël është më pak se 150 millionë m3. Imagjinoni se sa vlerë do të kishte thjeshtë marrja e ujit nga Emergjenca Civile për shuarjen e zjarreve.

Sot ka studime që argumentojnë se vaditja si një proces që njihet nga njerëzimi që në shekullin e katërt deri në të tretin para lindjes Krishtit në Kinë shumëfishon vlerat sikur edhe pyllin ta vaditesh e jo më bimët bujqësore. Prandaj do të kërkoja që në prioritetet e këtij vendi, për t’ju përgjigjur më mirë kërkesave për rritje mirëqënie duhet të jetë rritja e kapaciteteve ujëmbajtëse për të shmangur përmbytjet, erozionin, thatësirën, për të ulur koston e shuarjes së zjarreve, të eliminimit të pasojave të përmbytjeve, humbjes së sipërfaqeve bujqësore, pyjore dhe mbulimit të humbjes së pjellorisë së tokës si rezultat i shplarjes dhe për të fituar më shumë energji elektrike. Përfundimisht dua të theksoj se pasojat e zjarreve në pyje janë:

1- Një kontribut negativ në rritjen e shkarkimeve të gazeve serë.

2- Pakësojnë aftësinë akumuluese të ujit si rezultat i mungesës së mbulesës bimore.

3- Rrit në menyrë eksponenciale erozionin dhe se për ta ndaluar/frenuar dhe kompensuar dëmet vetëm nga këto tre faktorë duhet sa më shpejt, mundësisht në dimrin 2017 deri fillim marsin e vitit 2018 të merren masat në drejtim të parandalimit sa vijon:
a- Rishikim i politikave sociale dhe atyre penale.
b- Të hartohet një plan gjithë kombëtar me urgjencë, të gjenden fondet e nevojshme që në fillim të nëntorit 2017 për ripyllëzimin e gjithë sipërfaqeve të djegura.
c- Të fillojë riparimi, sjellja në kapacitete e rezervuarve ekzistues dhe të ndërtohen kapacitete të reja, kudo ku është e mundur të mbështetur fort në studime që duhet të paraprijnë. Dhe së fundi do të sjellë shprehjen e politikanit kinez Vang Hui që thotë: ”Nuk duhet t’i japim përparësi absolute rritjes së GDP-së duke lënë mënjanë të drejtat njerzore dhe mjedisin”.

Print