HEC-et në Valbonë, mjerim konceptual

Para viteve ‘90-ë, për Valbonën, pak dihej e shumë flitej. Ishte zonë kufitare e Shqipërisë socialiste, ku duheshin numëruar edhe zogjtë e malit në territor me vigjilencë të shtuar si në çdo zonë kufitare të asaj kohe. Aksesi në luginë ishte minimal. Deri në fund të viteve “90-ë, Valbona u njoh më detajisht. U peshuan resurset dhe potenciali i saj unik zhvillimor. Hopi cilësor fillon pas viteve 2002–2003. Emigrantë, kryesisht të zonës, duke parë nga afër përvojat europiane të turizmit, konstatuan se Valbonës nuk i mungonte shumë nga çfarë kishin vëzhguar në perëndim. Duhej investuar!

Sot, i gjithë korpusi i hotelerisë, bujtinave e restoranteve, thuajse drejtohet nga ish emigrantë që me jo pak kurajo vendosën të investojnë kursimet e mundit të tyre disavjeçar pikërisht në Valbonë. Sot që flasim, llogariten rreth 500 frymë në Tropojë që përfitojnë ekonomikisht nga hopi zhvillimor i Valbonës: Të punësuarit në rrjetin e hotelerive dhe restoranteve. Bujtinarët në shtëpi private. Banorë të shumë zonave në Tropojë që shesin gjenë e gjallë, bulmetin dhe produkte autentike të Malësisë së Gjakovës. Biznesi në qytetin e Bajram Currit. Nga hotelet tek pikat e shumicës, furnitorë të Valbonës, sidomos gjashtë muaj të vitit!

Pra, duke anashkaluar sentimentin e qëndruar në analizë të thjeshtë: Ndërtimi i Hec-eve nuk sjell asnjë përfitim për zonën. Numri i të punësuarve në to nuk i kalon 15 persona, pa harruar faktin se energjia modeste e prodhuar, shitet për interesa të ngushta të dy-tre individëve! Hec-et, apo bereqetin e Valbonës në ekonominë e Tropojës?

Mjerim konceptual i pashoq!

Print