• Kreu
  • Natyra
  • Ecovolis dhe Egnatia në mbrojtje të Parkut të Shebenikut në Librazhd

Ecovolis dhe Egnatia në mbrojtje të Parkut të Shebenikut në Librazhd

Parku Kombëtar i Shebenikut që ndodhet pranë qytetit të Librazhdit është një zonë tepër e dëmtuar, gati e zhveshur nga pyjet dhe bimësia. Për këtë arsye, një grup vullnetarësh nga EcoVolis morën pjesë aty në mbjelljen e 190 fidanëve të rinj, si pisha, gështenja dhe fidanë të tjerë. Mjedisi ndikon rrënjësisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, ndaj edhe zëvendësimi i pemëve të dëmtuara me fidanë të rinj është domosdoshmëri.

Ened Mato, i cili drejton këtë grup, u shpreh se Parku Kombëtar i Shebenikut njihet si një nga zonat më të bukura turistike në vend e rajon ndërkufitar dhe pyllëzimi do të krijonte një tjetër peizazh për vizitorët dhe turistët e natyrës.

Kjo nismë kishte si qëllim rehabilitim e zonës, por edhe sensibilizim për strukturat përkatëse, bizneset dhe për komunitetin.

Ecovolis ka një numër rekord aktivitetesh në mbrojtjen e mjedisit dhe mbjelljen e pemëve në parqet e ndryshme kombëtare si në Lurë, Liqeni Artificial Tiranë dhe së fundmi në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Aktivitetit të kësaj jave të mbjelljes së pemëve në Parkun e Shebnikut iu bashkua edhe Shoqata Egnatia e cila operon në Librazhd dhe është një organizatë aktive në mbrojtjen e mjedisit dhe kryesisht të Parkut të Shebenikut.

Pas mbjelljes së fidanëve, të rinjtë vijuan garat me biçikleta në mjediset e parkut.

Administrata e Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Elbasanit ndihmoi për gjetjen e territorit më të përshtatshëm për mbjellje.

Print