• Kreu
  • Natyra
  • Shtojzovallja Valbonë e masakruar dhe zhdukur nëpër tuba e tunele

Shtojzovallja Valbonë e masakruar dhe zhdukur nëpër tuba e tunele

Valbona, akoma, nuk është degdisur në tuba e tunele, por masakrimi i saj ka ndodhur. Ajo ishte e mbrojtur me ligj. Asnjë nuk e mbrojti atë nga masakra, as Qeveria, as gjykata, as edhe komuniteti, deri tani. Tani që e shohin të masakruar është ngritur komuniteti për ta mbrojur e po ngrihen gjithë Shqiptarët kudo që janë për ta mbrojtur. Qeveria dhe Gjykata jo. Po ngrihen të mos lejojnë burgosjen e saj në tuba e tunele, për të fituar ca lekë më shumë i pangopuri e duke lënë pa bukë e pa ujë ata njerëz që jetojnë aty falë jetëdhënies prej Shtojzovalles e jetëve të marra për të mbrojtur Shtojzovallen nga cdo farë pushtuesi.

Po ngrihen të shërrojnë plagët e hapura në trupin e saj prej agresionit të të pangopurve. Edona që i shkruajti letër z. Rama, ashtu sic shumica e qytetarëve, e di apo e ndjen se kryeministri i Shqipërisë e ka fuqinë që nëse një gjë është shkruar keq të mos e lërë të bëhet ezekutimi i të keqes. Ndërsa janë hedhur në erë plot objekte kudo nëpër Shqipëri, pse mos të hidhet në kosh një letër e shkruar keq? Sigurisht dikush duhet të paguaj për letrën e shkruar keq. Një barë mund ti binte dhe cdo qytetari, sic ka ndodhur e po ndodh deri sa vendimmarrësi Shqiptar, të mos e konsideroj si ciflik të tij territorin e vendit.

Z. Rama e quan, tek i përgjigjet Edonës, ndërtimin e HECeve në Valbonë si zhvillim të paarsyeshëm, por që nuk i ndalon dot, dhe se ka bërë cka mundur për ti bërë HECet më miqësorë me mjedisin. Kjo edhe mund të bënte sens në një zonë tjetër, por Rama nuk përmend në asnjë rast, se është fjala për një Park Kombëtar, se është fjala për një site turistik natyror, ku edhe për të mbledhur kërpudha duhet marrë leje, e jo për të shkulur malin me mina e për të derdhur mijra m3 beton në Valbonë. Sipas llogjikës së të qënit “miqësor” në Park Kombëtar mund të ngrihet dhe një incinerator për djegje plehrash, si ai i Elbasanit, etj., edhe një fabrikë cimentoje po të jenë miqësor me mjedisin. Në fakt më miqësore do ishin këto vepra se sa tharrja e lumit e devijimi i tij.

Për më tepër në ligjin e ri për zonat e mbrojtura miratuar në 2017 egziston klauzola e qartë prapavepruese, që fare lehtë nëse do aktivizoheshin institucionet e shtetit, që duket nuk janë aktivizuar qëllimisht, që ti lihej gjykatës më shumë hapsirë për manovrim, pavarësish nga “mjeshtëria” e manovrimit që kanë vetë gjykatat Shqiptare.

Por e gjithë alibia e gjatë e z. Rama me zhvillimin e paarsyeshëm lejen e të cilit ai nuk do e jepte kurrë bie në fjalinë e fundit të tij, se Valbona “….do të mbetet një shtojzovalle e mrekullueshme me dy nishane të pakuptueshëm në trupin e saj”. Kjo është dhe shumë cinike. Nuk janë nishanët që do jenë të pakuptueshëm në Valbonë, por do jetë vetë Valbona që nuk do kuptohet që ka qënë dikur një lumë që këndonte bukur dhe i jepte jetë jetës.

Print