• Kreu
  • Natyra
  • Shoqëria civile: Projekti i Mabetex, kërcënim për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

Shoqëria civile: Projekti i Mabetex, kërcënim për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

Një prej territoreve më të ruajtura në Shqipëri, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta rrezikohet nga projekti urbanizues i Mabetex Group. Kjo kompani ka prezantuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik brenda Parkut Kombëtar në mars të vitit 2017, projekt i cili nuk është pritur mirë nga shoqëria civile. Kjo pasi projekti i ndërtimit synon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese, mbështetëse (rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, etj) do të ndikojë negativisht në gjithë sipërfaqen e tij.

“Nëse ky projekt zbatohet siç është dizenjuar, do të sjellë ndryshime të pakthyeshme të ekosistemit, do të cenojë rëndë integritetin ekologjik të parkut dhe zonës Ramsar Divjakë-Karavasta”, tha Ferdinand Bego, ekspert i faunës pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në një forum të dedikuar diskutimit mbi ndikimet negative në mjedis të investimit urbanizues të MabetexGroup në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta informoi publikun mbi kërcënimin që paraqet zbatimi i këtij projekti në një prej ligatinave më të mëdha e më të rëndësishme në Mesdhe dhe një prej territoreve më të ruajtura në Shqipëri.

“Urbanizimi i propozuar në formën e Master Plani ‘Divjakë Resort Albania’ dhe i propozuar nga Kompania Mabetex Group pranë autoriteteve shqiptare është me pasoja shkatërruese ku dominon turizmi masiv, ndërtimet shumë-katëshe, erozioni detar dhe degradimi i shërbimeve ekologjike të këtij ekosistemi natyror. Projekti shoqërohet me humbje të habitateve natyrore, humbje të specieve simbol si Pelikani kaçurrel, degradim të qëndrueshmërisë ekonomike të gjithë zonës së Divjakës. Projekti shkel me dy këmbët kuadrin tonë ligjor dhe konventat e nënshkruara nga shteti shqiptar. Ky projekt është i paparanueshëm dhe duhet ndalur një orë e më parë!” tha Taulant Bino nga AOS (Shoqata Onitologjike e Shqipërisë).

I shtrirë në 12 km vijë bregdetare, projekti parashikon ndërtimin e 2400 apartamenteve, 370 vilave, një resorti turistik prej 90 ha me kapacitet maksimal 18,000 turistë/ditë.

“Gjithë këto ndërtime në PK Divjakë-Karavasta do të ndryshojnë tërësisht ekosistemet ujore të lagunës duke çuar në uljen e cilësisë së ujërave dhe duke shkaktuar prishjen e shumë ekuilibrave të popullatave të gjallesave që jetojnë në lagunë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet garantojë mbrojtjen e Parkut Kombëtar Natyror dhe të mos lejojë që një investim privat të cenojë integritetin e tij duke lejuar shndërrimin në një qytet të ri turistik”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Print