Sarandë: Arti për jetën

Vrasja e kafshëve të egra në Shqipëri me motiv ballcamimin e tyre për dekorimin e mjediseve të ndryshme private të shërbimit vazhdon të mbetet një fenomen mjaft i përhapur në vend. Ky fenomen është shkak i pamohueshëm për përkeqësimin e popullatave të llojeve të ndryshme të faunës, kryesisht llojeve të mbrojtur. Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka nisur një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese kundër kësaj paligjësie që dekoron shëmtuar mjediset e shërbimit turistik duke krijuar një imazh të tmerrshëm për vendin, vecanërisht kundrejt turistëve të huaj.

Shembullin e parë të ndërgjegjësimit e dhanë “Bar Edi” në Orikum dhe “Bar Restorant Kapiteni” në Sarandë duke zëvendësuar shpendët e balsamosur me piktura. Bizneset e qytetit turistik të Sarandës treguan fundjavën e kaluar 11-12 nëntor një sensibilizim dhe përkrahje të admirueshme për nismën e Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Qytetarët e Sarandës, pasi mësuan mbi ndikimin që ky fenomen ka në faunën e egër vendosën të heqin kafshët e balsamosura nga bizneset e tyre dhe të japin shembullin mbresëlënës të ndërgjegjesimit qytetar.

“Mirnjohje dhe falënderim i vecantë për pronarët e “Bar Xha Kujtimi”, “Bar Vrioni”, “Bar Restorant Beqo”, “Dyqani i elektroshtëpiakeve Pasho” dhe "Butique Louis". Një falënderim tjetër i përzemërt shkon për kolegët tanë të Sarandës Znj. Lumturi Xhani, Znj. Violeta Shehu dhe Znj. Nikoleta Zhupa të cilat ndihmuan me shumë përkushtim në këtë kauzë.”, shkruhet në publikimin e Shoqatës në rrjetin e tyre social online.

Kjo nismë u mbështet nga CEPF, ACE Foundation, BSPB dhe Shoqata Jona Sarandë.

Print