• Kreu
  • Natyra
  • Dokumenti i Brukselit për HEC-et rrëzon “superfuqinë” shqiptare të energjisë në rajon

Dokumenti i Brukselit për HEC-et rrëzon “superfuqinë” shqiptare të energjisë në rajon

Duket se po i vjen fundi “lulzimit” të superfuqisë energjitike në rajon, që u shpall me bujës në 2009, se do bëhej Shqipëria, e cila u pasua me një valë tjetër qindra lejesh e kontratash të firmosura për HECe në 2013, në prag të ndërrimeve të pushteteve. Joshja prej “superfuqie” nga maxhoranca e sotme ka qënë jo e vogël duke vazhduar me plotë leje të dhëna edhe në zona të mbrojtura me ligj. Kjo kohë duket po merr fund.

Brukseli nëpërmjet zv.drejtorit të drejtorisë së Bashkëpunimi Rajonal dhe Programeve (Ballkani Perëndimor) z. Nicholas Cendrowicz paraqiti në takimin e Shkupit më dt 12 Dhjetor dokumentin “ Parimet për zhvillimin e qëndrueshëm të HEC-eve në Ballkanin perëndimor”, dokument që do ju paraqitet ministrave të energjisë dhe të mjedisit të rajonit në Pranverë 2018. Të gjithë diskutantët; përfaqësuesit e qeverive të Ballkanit Perëndimor, natyrisht dhe të qeverisë Shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile të rajonit, përfaqësues të komunitetit të energjisë dhe institucioneve financuese ndërkombëtare shprehën dakortësinë e plotë me dokumentin e paraqitur.

Ky dokumet ka padyshim vlerë historike, për rajonin, pasi e shkëput atë nga kaosi i ndërtimit të digave dhe futjes së lumenjve në tuba, duke shmangur shkatrimin e ekosistemve të pasura të Ballkanit, duke i dhënë dhe një goditje të fortë aferave të pastra korruptive qeveritare nëpërmjet procesit të dhënies së lejeve për HECe , në dëm të pasurive natyrore, në dëm të komuniteteve malore në vecanti, si dhe krijimit të premisave për një orientim të ri të krijimit të burimeve energjitike.

Ky dokument, i bazuar dhe në një studim të gjërë mbi kaskadat e lumenjve të rajonit duket se i jep fund teorisë dhe praktikës së gabuar me efekte të shumta negative të HECeve të vegjël. Dokumenti thekson se 390 hidrocentralet e vegjël aktualisht në veprim në rajonin e Ballkanit Perëndimor që përfaqësojnë pothuajse 90% të të gjitha hidrocentraleve si numër prodhojnë vetëm 3% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë prej hidrocentraleve.

Ndër parimet e zhvillimit të HECeve në mënyrë të qëndrueshme të prezantuara i mëshohet idesë së dhënies si prioritet eficencës së energjisë, i kombinimit të energjisë hidrike me energjitë e tjera të rinovushme dhe të qëndrueshme, me energjinë diellore, të erës apo të biomasës dhe se edhe HECet e reja të mëdha të parashikuara në listën që u paraqit në takim për tu ndërtuar sipas vlerësimit shumëkriterësh janë HECe që mund ose jo ( “might”) të ndërtohen.

Projektet që nuk janë në këtë listë prioritare nuk do marrin dritën jeshile nga institucione e BE-së për mbështetje të mundshme. Në rastin e Shqipërisë si rrjedhojë edhe e qëndrimit të argumentuar të organizatave të shoqërisë civile në takimin e Tiranës në Maj të këtij viti në këtë listë kanë mbetur vetën HEC i Skavicës dhe Katundit të Ri në kaskadën e Drinit dh 2 HECe në kaskadën e Matit. Janë hequr të gjithë të tjerët, ku duhet përmendim HECet në kaskadën e Valbonës dhe të Vjosës, për të cilat kanë kohë që banorët e këtyre luginave dhe shoqëria civile protestojnë. HEC-et në Kaskadën e Valbonës janë klasifikuar dobët dhe me shumë probleme në vlerësim (kategoria “underperforming”).

Dokumenti vjen me një qëndrim korrekt, duke atakuar qëndrimin e vendeve të rajonit, që i shohin lumenjtë vetëm si burim energjie, madje edhe duke injoruar faktorin evident të ndryshimeve klimatike dhe thekson se: “Për shkak të domosdoshmërisë për të ruajtur mjedisin, modifikimet në hidrologji që rezultojnë nga ndryshimet klimatike dhe burimet ujore në dispozicion, si dhe sfidat që projektet si të mundshme për tu ndërtuar (greenfield) të jenë financiarisht të qëndrueshme në tregun aktual, ka të ngjarë që të realizohet vetëm një numër i kufizuar projektesh”.

Zëri i shoqërisë civile në këtë takim ishte mjaft profesional dhe bindës. Nga shoqëria civile erdhi iniciativa e saj, që ajo vetë të propozoj eco-master plan me zonat ku nuk duhet ndërtuar HECe, (“non go” area). Dhe kjo ka për të ndodhur shpejt.

Përtej mirëpranimit të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të HECeve në dokumenta dhe auditore beteja vazhdon në terren midis qeverive dhe qytetarëve, që jetojnë në këtë rajon të Europës, ku parimet lehtësisht shkelen.

Print