• Kreu
  • Natyra
  • Konfederata e Industrive Shqiptare kërkon ndalimin e planeve të digave në lumin Vjosa

Konfederata e Industrive Shqiptare kërkon ndalimin e planeve të digave në lumin Vjosa

Kundërshtimi ndaj hidrocentraleve të projektuara në lumin Vjosë po merr mbështetje të mëtejshme. Në një letër të hapur drejtuar Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Konfederata e Industrive Shqiptare bën thirrje për një moratorium të ndërtimit të digave në lumin Vjosë dhe degët e tij. Lumenjtë e Ballkanit janë të kërcënuar nga një cunam hidrocentralesh, përfshirë edhe Vjosën. Rreth 40 hidrocentrale janë parashikuar në lumin e fundit të egër në Evropë.

Kohët e fundit, “Konfindustria” shqiptare – institucioni që përfaqëson interesat e 280 firmave të mëdha industriale të vendit – ka bërë thirrje për dhënien fund të të gjitha procedurave për koncesionet e miratuara dhe atyre të planifikuara. Ajo e bazon kërkesën e saj në arsyetimin se të gjitha studimet e mëparshme mbi performancën ekonomike të hidrocentraleve janë të vjetëruara e jo të plota dhe kësisoj, nuk ofrojnë rekomandime të besueshme. Në vend të tyre, duhet të përfshihen konceptet e energjisë alternative siç është përdorimi i paneleve diellore.

Për më tepër, kreu i Konfederatës së Industrive Shqiptare, Gjergj Buxhuku, në letrën e tij kërkon që vlerësimet e ndikimit në mjedis të bëhen sipas standardeve të BE-së. Ruajtja Vjosës dhe degëve të saj në gjendjen e tyre natyrore është me interes të madh për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, shprehet Buxhuku. “Projektet që do të shkatërronin përgjithmonë këto perla të ujërave të ëmbla nuk duhet të tolerohen”, vijon ai.

“Është e jashtëzakonshme që industria kombëtare pozicionohet qartësisht kundër HEC-eve në Vjosë. Kjo është shenjë e një opozite në rritje kundër planeve për diga në Vjosë”, thotë Theresa Schiller, koordinatore e fushatës në Euronatur. “Kërkesa e Gjergj Buxhukut në emër të Konfederatës së Industrisë Shqiptare është një tjetër zë i rëndësishëm në luftën për lirinë e lumit Vjosa!”

Print