• Kreu
  • Natyra
  • BB: Aftësitë rikuperuese pas fatkeqësive natyrore, si renditet Shqipëria

BB: Aftësitë rikuperuese pas fatkeqësive natyrore, si renditet Shqipëria

Fatkeqësitë natyrore dominonin lajmet në vitin 2017. Uraganet arritën shifra rekorde, shirat dhe përmbytjet historike morën jetën dhe shkatërruan prona në Karaibe, Azinë Jugore dhe Shtetet e Bashkuara. Në Sierra Leone dhe Kolumbi, qindra njerëz vdiqën në rrëshqitjet e rërës pas shirave të mëdha. Banka Botërore përllogarit se ka rreth 4 herë më shumë fatkeqësi natyrore sot sesa në vitet 1960. Në një raport të publikuar më herët, por që Banka e risjell në kujtesë, si një ndër temat kryesore të vitit 2017, bëhet fjalë për aftësinë për t’u rimëkëmbur nga fatkeqësitë natyrore, tipar të cilin BB e përllogarit me përqindje.

Edhe Shqipëria nuk mbetet pas sa i përket efekteve ekonomike të fatkeqësive natyrore. Jo më larg se në fillim të këtij muaji, Shqipëria u zgjua e përmbytur dhe bizneset në autostradën Tiranë-Durrës janë ata që vuajtën më tepër pasojat. Por duke mos lënë pa përmendur edhe problematikat në zonën qendrore dhe atë jugore. Shumë rrugë të pakalueshme, lumenj të dalë nga shtrati, fshatra të përmbytur dhe banorë në vështirësi e të evakuuar u evidentuan që me 1 dhjetor.

Sipas hartës së ndërtuar nga Banka Botërore, në përqindjen e llogaritur sa i përket aftësive rikuperuese të vendeve pas fatkeqësive natyrore, Shqipëria ka një pikësim prej 69 %, që nënkupton aftësi të larta për të rimarrë veten. Risku për prekjen e aseteve përllogaritet sa 0.91 % e PBB-së.

Por, Banka nënvizon se fatkeqësitë natyrore, kudo nëpër botë ndikojnë ndryshe në njerëz të ndryshëm – njerëzit më të varfër vuajnë vetëm një pjesë të humbjeve ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë, por ato bartin barrën e pasojave të tyre. Raporti që BB e quan “i pathyeshëm” argumenton se investimi në elasticitetin socio-ekonomik të njerëzve është kritike për të thyer ciklin e varfërisë së shkaktuar nga fatkeqësitë.

Print