• Kreu
  • Natyra
  • Nis projekti për shpëtimin e lagunës së Kune-Vainit nga shkatërrimi e erozioni

Nis projekti për shpëtimin e lagunës së Kune-Vainit nga shkatërrimi e erozioni

Në lagunën e Kune-Vainit në Lezhë do të zbatohet projekti për pyllëzimin e plotë të saj, me qëllim rikuperimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet e erozioni. Kjo është bërë me dije nga ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një takimi në Lezhë ku u lançua projekti “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem”.

Sipas Klosit, zbatimi i këtij plani do të mbrojë lagunën ku më tej u vu theksi mbi pyllëzimin, si fokusi kryesor i projektit. “Projekti që kemi ardhur sot të lançojmë është një nga projektet që do të shpëtojë në masën më të madhe një nga perlat e Shqipërisë, që është laguna e Kune-Vainit dhe projekti ka për qëllim të krijojë një kanal, i cili do të mbrojë lagunën, do të sjellë ujin e kripur dhe po ashtu një pjesë shumë e rëndësishme e projektit do të jetë mbjellja e pemëve. Në procesin tonë të madh për pastrimin e Shqipërisë kuptojmë problematikat e kësaj zone por po ashtu kuptojmë edhe pyllëzimin.”- tha ministri i Mjedisit.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të UNEP, të pushtetit lokal dhe të administratës së zonave të mbrojtura në Lezhë. Gjatë inspektimit në terren të zonës ku do të fillojë ndërhyrja ministri Klosi theksoi se do të ketë një pyllëzim të plotë që bashkë me dy moratoriumet, të gjuetisë dhe të pyjeve do të jenë në funksion të faunës së pasur të zonës. “Brenda vitit 2020 do të mbjellim 20 milionë e 200 mijë pemë dhe projekti i Kune-Vainit që mbështet të gjithë këtë infrastrukturë do të jetë një pjesë shumë e rëndësishme. Do të kërkojmë një pyllëzim të plotë të zonës e cila do t’i shërbejë faunës. Kur vjen në këtë perlë të Shqipërisë e kupton sesa efektivë kanë qenë të dyja moratoriumet; edhe ai për ndalimin e gjuetisë edhe ai për ndalimin e prerjes së pemëve.”- u shpreh Klosi.

Aktualisht projekti “Arritja e përshtatjes së Lagunës Kune-Vain përmes adaptimit të bazuar në ekosistem” po fillon zbatimin dhe parashikohet që të përfundojë në fund të vitit 2019-të.

Print