• Kreu
  • Natyra
  • Ministria e Mjedisit publikon inventarizimin e Faunës së Egër

Ministria e Mjedisit publikon inventarizimin e Faunës së Egër

3 Marsi është Dita Botërore e Jetës së Egër, ditë kur festohet larmishmëria e formave të jetës së egër të faunës dhe florës si dhe për t’u vetëdijësuar për të mirat e shumta që ne, njerëzit marrim nga ruajtja dhe mbrojta e tyre. Jeta e egër ka vlera thelbësore dhe jep kontributin e saj në aspektin ekologjik, gjenetik, social, ekonomik, shkencor, mësimor, kulturor dhe estetik të zhvillimit të qëndrueshëm.

Më 20 dhjetor 2013, në seancën e 68-të, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) shpalli datën e 3 marsit, pikërisht ditën e nënshkrimit të Konventës mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES), si Ditën Botërore të Jetës së Egër, si ditë kur do të festohet për të rritur ndërgjegjësimin për kafshët dhe bimët e egra të botës. Dita botërore e kafshëve të egra do të festohet në vitin 2018 nën temën "Macet e mëdha, grabitqarët nën kërcënim", në vendin tonë tema mund të përshtatet "kafshët e mëdha karizmatike nën kërcënim", të cilat janë rrëqebulli, ariu, ujku, dhia e egër, kaprolli dhe pelikani.

Me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë së paligjshme dhe moratoriumit të prerjes së pyjeve kjo ditë mund të festohet edhe në Shqipëri. Kjo ditë na kujton nevojën për të vazhduar ndërgjegjësimin dhe angazhimin kundër krimit mjedisor, i cili ka impakte të mëdha në ekonomi, mjedis dhe shoqëri. Ruajtja dhe menaxhimi i jetës së egër në një mënyrë të qëndrueshme nuk është më një opsion për gjeneratën tonë por është kthyer në një detyrim dhe në një nevojë për t’i lënë brezave të ardhshëm një jetesë më të mirë.

Në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh. Objekt i këtij inventarizimi fillimisht u caktuan 30 specie, të cilat janë parë si objekte gjuetie dhe disa të tjera si të kërcenuara apo të rëndësishme të mbrojtura nga Konventat ndërkombëtare, ratifikuar nga ne. Më poshtë janë rezultatet e parë të inventarizimit për vitin 2017 të 30 specieve të përcaktuara, e cila po vazhdon në vitin 2018 dhe do të jetë publike në faqen e AKZM-së.

Megjithatë nga rezultatet e inventarizimit të vitit të kaluar për faunën e egër, ndër specie më të kërcënuara mund të veçojmë ariun e murmë. Vitin e kaluar u liruan nga kurthet e ngritura dy arinj, një në Polis të Elbasanit dhe një tjetër në Zdrajsh të Librazhdit.

Këtë vit mesazhi është i qartë: të mos heshtim ndaj bzineseve që mbajnë në mënyrë të paligjshme kafshët e egra në robëri, si dhe të mbështesim një fushatë për ngritjen e fondeve për të shpëtuar ato kafshë që janë privuar nga liria e tyre. Ka ardhur koha që dhe Shqipëria të ketë Qendrën e vet të reabilimit të arinjve dhe është menduar që kjo qendër, duke qenë se duhet një sipërfaqe e madhe të jetë në Parkun Kombëtar të Dajtit.

Print