Riciklimi i mbetjeve

Në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga banorët e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë vijuar aksionin e tyre për bllokimin e të gjitha pikave të grumbullimit të mbetjeve të automjeteve dhe metaleve të tjera, që nuk plotësojnë kriteret mjedisore dhe sjellin rrezik për jetën e qytetarëve.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, inspektuan sot një nga pikat e grumbullimit të mbetjeve që funksiononte në Rr. “Siri Kodra”, një nga zonat më të populluara të Tiranës.

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se po evidentohen të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve, të cilat janë hapur në kundërshtim me kriteret mjedisore dhe që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara.

“Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është aksion vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve, po shqyrtojmë dhe kemi në miratim kriteret e reja”, tha Klosi, teksa siguroi se ky aksion vjen si përgjigje ndaj shqetësimit të qytetarëve.Ai u shpreh se këto biznese do të duhet të zhvillohen jashtë qendrave të banuara, duke shtuar se do t’i jepet fund guroreve dhe mbetjeve që ndotin.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se është e papranueshme, si nga ana estetike, ashtu edhe e dëmshme për jetën e banorëve, që hapësira brenda lagjeve të banuara të kthehen në varreza hekurishtesh apo mbetjesh të tjera urbane.

“Jam i sigurt se edhe zoti Basha, që sot përmendi këto raste, në Holandë, ku edhe ka shansin të shkojë shpesh, nuk ka parë njerëz të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre brenda kazanëve të plehrave, duke u përpjekur të marrin mbetjet dhe më pas i grumbullojnë në pika të tilla brenda zonave urbane. Ky është një akt jo vetëm joevropian, jo vetëm i rrezikshëm për shëndetin e banorëve, por është një çështje që në mënyrë të vazhdueshme banorët e Tiranës, edhe nëpërmjet portalit të bashkëqeverisjes, e kanë denoncuar si një problem për qytetin e tyre dhe për mënyrën dhe mundësinë për të funksionuar si një qytet normal”, tha nënkryetari Mazniku.Ai shprehu vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mos lejuar grumbullimin mbetjeve në mënyrë antiligjore në zonën urbane dhe pa plotësuar kriteret mjedisore.

“Këto pika kthehen në vatra rrezikshmërie për shëndetin, kthehen në pika, të cilat janë plotësisht jo formale nga këndvështrimi fiskal dhe mjedisor dhe çfarë është më problematikja, nuk na japin mundësinë që të krijojmë një sistem të mirë për funksionimin dhe pastrimin e qytetin”, u shpreh Mazniku.Nënkryetari i bashkisë theksoi se aktivitete të tilla përveç problematikës që shkaktojnë në aspektin mjedisor, bëjnë të pamundur edhe krijimin e një sistemi të organizuar të pastrimit të qytetit.

Print