• Kreu
  • Natyra
  • Ministria e Bujqësisë plotëson kërkesat e bletarëve: Ja strategjia e re dhe përfitimet

Ministria e Bujqësisë plotëson kërkesat e bletarëve: Ja strategjia e re dhe përfitimet

Shoqata e Bletarëve, së bashku me të gjithë fermerët e anëtarësuar, prej vitesh u adresohen dyerve të Ministrisë së Bujqësisë, për të gjetur zgjidhje të disa nga problematikat që shoqëron këtë sektor. Sipas burimeve, në mbledhjen e fundit Ministria iu është përgjigjur me plane konkrete, ndërsa disa nga bletarët në vend sërish ngrenë zërin e tyre për të tjera çështje.

Një ndër kërkesat e Shoqatës ka qenë mungesa e subvencioneve. Më parë, skema ka qenë 1000 lekë për koshere, e cila përfitohej për fermerët me më shumë se 50 koshere.

Ministria e Bujqësisë, pas mbledhjeve me aktorët e tregut, në skemën e mbështetjes për vitin 2018 ka miratuar financime prej 1000 lekësh për fermerë me mbi 100 koshere, për të nxitur sipas tyre edhe grumbullimin e bashkëpunimin mes fermerëve për të prodhuar.

Eugen Skermo nga “Morava”  thotë sërish se skema e subvencionit duhet të jetë për njësi prodhimi. “Kjo do të nxiste prodhimin e mjaltit dhe do të shmangte abuzimet me numrin fiktiv të koshereve të raportuara për të marrë subvencione”, – thotë z. Skermo.

Një tjetër çështje e cila ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë ka qenë ajo e sëmundjes që është përhapur te bletët. Burime pranë Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se kjo kërkesë pritet që të përfshihet në skemën e projektit IPARD, por bletarët thonë ende që nuk janë të qartë me vijimësinë.

Znj. Lejla Shehu nga Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë ka thënë më herët se mungon një strategji e mirëfilltë e sektorit të bletarisë në vend dhe, pavarësisht përpjekjeve të shoqatës apo fermerëve, kjo nuk po arrihet.

Pikat e kërkuara në mbledhjet e mëparshme nga Shoqata e Bletarëve nga Ministria janë:

-Sëmundjet e bletëve

-Medikamentet e përdorura

-Helmimet nga spërkatjet e pakontrolluara

-Mungesa e subvencioneve dhe i një përfaqësie në institucion

-Monitorim i vazhdueshëm: i statistikave mbi bletën, sëmundjeve të tyre.

Print