• Kreu
  • Natyra
  • Mbarështimi i deleve në Europë – Eurostat: Shqipëria numëron 2 mln krerë, ndër vendet me numrin më të ulët

Mbarështimi i deleve në Europë – Eurostat: Shqipëria numëron 2 mln krerë, ndër vendet me numrin më të ulët

Ajo konsiderohet si simbol i Pashkëve në Europë. Bëhet fjalë për delen, e cila mbarështohet pothuajse në të gjitha vendet e Europës. Kjo e fundit në vitin 2017 ajo numëronte rreth 124 milionë dele, sipas të dhënave të Eurostat. Turqia ka edhe me numrin më të madh të deleve me 33.6 milionë të tilla brenda kufijve të saj, duke u shkëputur nga të gjithë konkurrentët. Në vendin e dytë renditet Britania, me 23 milionë, një komb që në mënyrën e vet ka qenë gjithmonë i lidhur me këtë kafshë.

Ndërkohë, Spanja, e treta në renditje gjithashtu evidentohet me një numër relativisht të lartë të deleve. Në vendin kryesor të gadishullit Iberik, numërohen mbi 15.9 milionë dele. Pas saj, renditet Greqia me 9 milionë dhe Rumania me pak më shumë se 8 milionë dele.

Edhe pse fermat janë të konsoliduara, veçanërisht në disa rajone, Italia renditet nën vendin e gjashtë të klasifikimit europian dhe sipas të dhënave numëron 7.2 milionë dele. Ndërkohë, në Francë, e cila renditet akoma më poshtë janë vetëm 6.8 milionë referuar raportit të Eursotat.

Të gjitha vendet e tjera në tabelë janë shumë prapa në numër. Irlanda ka 3.9 milionë krerë dhe më pas hendeku krijohet me Portugalinë dhe Shqipërinë që numërojnë nga 2 milionë dele brenda kufijve të tyre.

Sa i takon Shqipërisë, gjatë viteve të fundit numri i deleve nuk ka patur ndryshime të shumta në vendin tonë, referuar të dhënave të Institutit të Statistikave. Në 2015, në Shqipëri numri i deleve ka qenë 1.9 milionë krerë. Vlora, Gjirokastra dhe Fieri janë edhe rajonet ku rriten më shumë delet.

Ndërkohë, vendi që sipas Eurostat ka më pak dele është ishulli i vogël i Maltës, ku numri i deleve në këtë shtet është pak më shumë se 11 mijë.

Print