• Kreu
  • Natyra
  • Cilat janë arsyet kryesore të degradimit të pyjeve në Shqipëri?

Cilat janë arsyet kryesore të degradimit të pyjeve në Shqipëri?

Sipas studimit të FAO-s në vitin 2017, arsyet kryesore të degradimit të pyjeve janë:

  1. “Reformat” në administratën pyjore. Rënia e madhe e administratës pyjore ka nisur që nga viti 2000, më e theksuar u bë pas vitit 2009, duke u agravuar gjithnjë e më shumë si problem. Specialist pyjesh të cilët janë zëvendësuar me staf të ri jo profesional në menaxhimin e fondit pyjor në mënyrë të qëndrueshme.
  2. Prishja e strukturës organizative të pyjeve. Që nga krijimi i administratës pyjore në vitin 1923 (me ligjin e parë për pyjet), administrata pyjore ka qenë një administratë e centralizuar nën Drejtorinë e Përgjithshme të pyjeve, nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, deri në vitin 2005, kur kjo drejtori u shpërbë përfundimisht.
  3. Shkëputja e administratës pyjore nga pyjet. Deri përpara 10 vitesh çdo sipërfaqe pyjore mbulohej nga një specialist pyjesh. Ai ishte përgjegjës për gjithçka ndodhte në zonën e tij pyjore (prerje, zjarre, punime pyjore etj). Tani përveçse një numri më të vogël stafi që është i ngarkuar për pyjet, në këtë staf ka shumë më pak specialistë pyjesh. Dhe përgjegjësia tashmë nuk është individuale por kolektive (dmth e askujt), për të gjithë sipërfaqen pyjore të bashkisë.
  4. Mungesa e një strategjie dhe kuadri ligjor funksional për pyjet. Pavarësisht moratoriumit në pyje, vetëm në vitin 2016 sasia e druve të zjarrit të prera në Shqipëri rezultoi të ishte rreth 2.6 milion m3(FAO 2017). Kjo sasi është më shumë se dyfishi i volumit të pyjeve që rriten, duke qenë se rreth 20% e këtij volumi mbetet në pyll, duke e çuar sasinë e druve të zjarrit që pritet në rreth 3.1 milion m3/vit.
  5. Mungesa e investimeve në pyje. Deri në vitin 1990 në Shqipëri pyllëzoheshin mesatarisht rreth 5000 ha me pyje (10-15 milion fidanë) ne vit, bëheshin investime edhe në drejtim të mbrojtjes së tokës nga erozioni, përmirësoheshin pyjet etj. Aktualisht pyllëzimet në Shqipëri janë me pikatore, në sasi të vogla dhe të parcelizuara në sipërfaqe të vogla e të pa përfillshme.
  6. Transferimi i pyjeve tek bashkitë. Duke qenë se qeveria nuk po ja dilte dot me pyjet, vendosi ti transferojë ato tek bashkitë. Transferimi ndodhi në një situatë kur pyjet ishin më të degraduara dhe dëmtuara se kurrë. Shumë nga bashkitë nuk mund të nxjerrin asnjë përfitim aktualisht nga pyjet, madje nuk sigurojnë dot as drutë e zjarrit për banoret e tyre. Bashkitë nuk kanë as kapacitete financiare dhe njerëzore për ti menaxhuar pyjet. Nga ana tjetër, nevojat për investime në pyje janë shumë të mëdha (veçanërisht për mbjellje drurësh).
  7. Zjarret në pyje. Një ndër problemet më të mëdha të pyjeve vitin 2017 ishin zjarret masive. Ndryshimi në organizimin e shërbimit pyjor, shkëputja e lidhjeve me komunitetet, prishja e strukturave vullnetare zjarrfikëse ne çdo fshat e lagje të Shqipërisë (të organizuara dikur nga Shërbimi pyjor) ka bërë thuajse të pamundur aktualisht menaxhimin e situatës së zjarreve.
  8. Politikat jo favorizuese për sektorin pyjor. Strategjia e energjisë nuk është miqësore në raport me pyjet. Ne strategji i meshohet faktit që energjia nga biomasa të rritet ndjeshëm, ndërkohë anashkalohet fakti që nuk kemi më pyje. Një tjetër problem është leverdishmëria e përdorimit të druve të zjarrit për gatim dhe ngrohje. Aktualisht, përdorimi i druve të zjarrit për ngrohje dhe gatim rezulton të jetë 2-3 më i leverdishëm se ai i energjisë elektrike.
  9. Informaliteti i lartë në sektorin pyjor. Vetëm sasia e druve të zjarrit që pritet çdo vit në Shqipëri, vlerësohet në rreth 75 milion euro. Nëse kësaj vlere i shtohet edhe sasia e lëndës drusore që përdoret në industrinë përpunuese të drurit etj, sasinë e prodhimeve të dyta pyjore (bimëve mjekësore), kullotjen në fondin pyjor të rreth 1.5 milion kafshëve të blegtorisë në to etj., vlerësimi i kalon 100 milion euro në vit. Kjo vlerë përbën të paktën 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që nuk pasqyrohet asgjëkund në statistikat e vendit.
  10. Mungesa e certifikimit pyjor. Certifikimi pyjor është një instrument i cili garanton përdorimin e qëndrueshëm të pyjeve. Në mungesë të tij, bashkitë, ministria, subjektet private që shfrytëzojnë pyjet apo çdo ent a institucion tjetër ka dorë të lirë në shkatërrimin dhe degradimin e mëtejshëm të pyjeve në vend.

Print