• Kreu
  • Natyra
  • Klosi: 2018-ta, viti i bumit të zhvillimit turistik

Klosi: 2018-ta, viti i bumit të zhvillimit turistik

Për herë të parë, 84 operatorë turistikë nga 46 vende të botës janë mbledhur në Tiranë për të blerë paketa turistike nga operatorët turistikë shqiptarë. Shiritin e përurimit të këtij takimi biznesi e preu ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Në fjalën e tij ministri Klosi tha se viti 2018 do të jetë një bum zhvillimesh turistike, pasi interesi i biznesit lokal dhe ndërkombëtar është shumë i madh për të krijuar struktura të reja turistike në Shqipëri.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se politikat e qeverisë shqiptare synojnë të kapërcejnë sezonin turistik brenda vitit kalendarik, duke realizuar kontrata afatgjata të dekadës së re turistike për vendin tonë.

Ministri Klosi vlerësoi rëndësinë e takimeve, ku oferta shqiptare kombinohet drejtpërsëdrejti me ofertat e shteteve fqinje, duke prezantuar rajonin si një ofertë të përbashkët në tregun e turizmit botëror. Ndërsa politikat e qeverisë shqiptare për investimin në fushën e turizmit dhe diversifikimin e ofertës turistike do të synojnë që Shqipëria të mos jetë në tregun rajonal të turizmit vetëm si destinacion i detit dhe i rërës.

Në takimin e biznesit operatorët turistikë shqiptarë paraqitën potencialin e Shqipërisë nëpërmjet paketave turistike. Takimi, i pari i këtij lloji në vendin tonë për nga madhësia, shënon ngritjen e siparit të një turizmi hyrës në Shqipëri.

Print