• Kreu
  • Natyra
  • Mbjellja e pemëve, nismës i bashkohet edhe Universiteti Bujqësor

Mbjellja e pemëve, nismës i bashkohet edhe Universiteti Bujqësor

Universiteti Bujqësor i Tiranës po merr çdo ditë e më shumë pamjen e një kampusi të mirëfilltë universitar. Pas prishjes së ndërtimeve pa leje, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë investimesh infrastrukturore, duke krijuar kushte më të mira për studentët, të denja për një tempull të dijes. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryen në territorin e universitetit, ndërsa bashkë me stafin pedagogjik mori pjesë në mbjelljen e 150 pemëve të reja.

Ai u shpreh se Bashkia e Tiranës dhe qeveria po bashkëpunojnë për t’i dhënë këtij universiteti pamjen dhe rëndësinë që meriton.

“Universitetet tona kanë fuqi ligjore, kur vjen puna tek pavarësia akademike, ama duhet të kenë edhe pavarësi financiare, ndaj bashkë me kryeministrin jemi duke bërë investime që po e konturojnë dhe modernizojnë këto hapësirave. Qeveria ka dhënë një fond për të bërë rrethimin dhe sistemimin, për të treguar se ky vend ka zot, sepse e quajmë realisht një tempull të dijes dhe jo një vend që mund të zaptohet apo ku mund të kullosë bagëtia. Kurse, Bashkia e Tiranës po bën ndërhyrje të brendshme”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se investimet në këtë hapësirë universitare kanë prekur kryesisht rrugët, trotuaret, pjesët rekreative, si dhe të gjithë infrastrukturën nëntokësore.

“Më vjen mirë që kemi bërë disa ndërhyrje shumë të nevojshme, kur vjen puna tek infrastruktura, rrugët lidhëse, dhe jam shumë i lumtur që dëgjoj nga përfaqësues të Universitetit që edhe këtu është dëshira, që në një farë mënyre të imitohet Tirana. Pra, hapësirat qendrore të jenë në funksion të njerëzve, jo në funksion të makinave, një pedonalizim, kthim në park, ku çdokush të ketë kënaqësi që vjen në shkollë, që jep mësim, kënaqësi që del shëtitje me familjen”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se falë këtyre investimeve, Unversiteti i Bujqësor i Tiranës po kthehet në një qendër jo vetëm arsimimi, por edhe në një hapësirë rekreative dhe që po aksesohet gjithmonë e më shumë nga banorët e Njësisë 11.

Zv. Rektori i Universitetit Bujqësor, Sulejman Sulçe falenderoi kryetarin Veliaj për mbështetjen dhe vëmendjen që ka treguar për këtë kampus, ndërsa shprehu besimin se bashkëpunimi që ekziston do të vazhdojë edhe më tej. “Sot që po flasim, UB ka mbjellë 620 pemë dhe i shtohet edhe kontributi i 125 pemëve nga Bashkia e Tiranës. Jemi shpresëplotë se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës do të vazhdojë”, tha Sulçe.Në Universitetin Bujqësor të Tiranës po ndërtohen 800 metra rrugë dhe trotuare, si dhe 280 metra pedonale.

Gjithashtu, po kryhet investim në kanalizimin e ujërave të zeza, ndërsa shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i rrethimit të kampusit.

Print