• Kreu
  • Natyra
  • A po funksionon moratoriumi i gjuetisë? Organizatat kundër projektligjit që e rikthen

A po funksionon moratoriumi i gjuetisë? Organizatat kundër projektligjit që e rikthen

Një raport i publikuar së fundmi analizon efektivitetin që ka patur moratoriumi i gjuetisë në Shqipërisë, që prej hyrjes në fuqi të tij e deri më tani. Sipas zbulimeve të këtij raporti, ndalimi i gjuetisë gëzon një mbështetje të madhe nga banorët e zonave dhe ka ndikuar mbi të gjitha në trembjen e gjuetarëve të jashtëligjshëm nga jashtë vendit.

Përmes intervistave informale, banorët e zonave të ndryshme të vendit shprehen se e kanë respektuar tërësisht ligjin, por fakti që kanë munguar kontrollet ka bërë që gjuetia ende të vijojë.

Vetëm gjatë kohështrirjes së vizitave të delegacioneve të agjencive të ndryshme për mbrojtjen e natyrës, janë regjistruar një numër i konsiderueshëm të shtënash dhe grupet kanë rastisur në grupe gjuetarësh apo gjuetarë me zagarët e tyre. Këto shifra mbështeten edhe nga pamjet e kamerave të vendosura në pika të ndryshme, të cilat kanë regjistruar këtë veprimtari të jashtëligjshme.

Por pavarësisht se një pjesë e vogël nuk e respektojnë moratoriumin, në disa zona ai ka rezultuar efektiv sa i takon jetës së egër. Kafshë si lepujt dhe derrat e egër janë pikasur më pranë banesave të njerëzve, një shenjë që tregon se ato e kanë humbur frikën nga njerëzit. Shenja të tilla shfaqin edhe zogjtë, të cilët fluturojnë më pranë rrugëve dhe brigjeve të liqeneve si Prespa dhe ai i Shkodrës.

Një shenjë që tregon që njerëzit nuk po ia vënë veshin ligjit është edhe fakti se shumë restorante vazhdojnë të servirin pjata me bazë kafshë të egra apo shpendë të ndryshëm.

Në përfundim, raporti liston edhe disa anë të forta dhe dobësi të zbatimit të ligjit aktual. Dëshira për t’u bërë pjesë e BE ka shtuar motivimin për të forcuar mbrojtjen e natyrës, ndërsa po ashtu është rritur kontrolli i zonave të mbrojtura dhe bashkëpunimi mes strukturave shtetërore dhe shoqatave.

Nga ana tjetër vihet re një mungesë e burimeve financiare dhe pajisjeve të strukturave shtetërore për të zbatuar moratoriumin. Kjo vihet re sidomos në numrin e vogël të stafit, nivelin e papërshtatshëm të edukimit të tyre dhe mungesës së kontrolleve në zonat jo të mbrojtura.

Në të ardhmen, raporti sheh si kërcënimin më të madh projektligjin e ri për gjuetinë bazuar në modelin kroat, i cili heq moratoriumin, duke u dhënë gjuetarëve licenca për të gjuajtur në sezone dhe hapësira të përcaktuara.

Print