• Kreu
  • Natyra
  • Moratoriumi i gjuetisë nuk i ndali gjahtarët, zbulon studiuesi gjerman

Moratoriumi i gjuetisë nuk i ndali gjahtarët, zbulon studiuesi gjerman

Ndonëse moratoriumi i gjuetisë pati pasoja pozitive për zonat e mbrojtura  ku kontrollet qenë më të shumëta, gjahtarët shqiptarë vazhduan të pashqetësuar aktivitetin e tyre në zonat periferike, shkruan studiuesi Daniel Ruppert. Një studim i publikuar së fundmi nga studiuesi gjerman Daniel Ruppert mbi efektin e moratoriumit të gjuetisë në Shqipëri, zbuloi se ai ka pasur pasoja pozitive për kafshët vetëm në zonat me status të lartë mbrojtjeje, ndërsa gjahtarët vazhdojnë lirisht aktivitetin e tyre vrastar në 82 për qind të territorit.

Përmes vëzhgimeve në terren në gjashtë rajone të Shqipërisë dhe intervistave me banorët, rojtarët e parqeve dhe ekspertët vendas, studiuesi Ruppert analizoi efektivitetin e moratoriumit të gjuetisë, që sipas tij është më i gjati në botë për nga koha e ndalimit.

Nga gjashtë zonat e marra në shqyrtim nga studiuesi gjerman, dy prej tyre, Parku Divjakë-Karavasta dhe Parku Kombëtar i Prespës shfaqën rezultate të mira në lidhje me nivelin e zbatimit, me pothuajse aspak gjueti të hasur apo raportuar.

Parku Natyror i Liqenit të Shkodrës shfaqi një sasi të konsiderueshme gjurmësh gjuetie, pavarësisht se gjuetia në këtë zonë është e ndaluar kategorikisht edhe përtej moratoriumit kombëtar.

Po ashtu, sipas studimit të Ruppert, gjurmë të shumta gjuetie mund të gjenden edhe në parkun natyror Nikaj-Mërtur, Nivicë dhe Shalë, gjueti kjo e raportuar edhe nga dëshmitë e banorëve të zonës.

“Tre zonat kanë të përbashkët që janë zona të thella dhe se nuk ka pasur asnjë kontroll ndaj tyre që nga zbatimi i moratoriumit”, shkruan Ruppert.

“Niveli i mbrojtjes së tyre nuk duket se ka një impakt në lidhje me parkun natyror Nikaj-Mërtur,” shton ai. Mungesa e patrullimit, stafi i pakualifikuar dhe financimi i paqëndrueshëm janë sipas Ruppert disa nga arsyet përse fauna në Shqipëri bëhet pre e gjahtarëve, mundësuar kjo edhe nga lehtësia për të shtënë në dorë armë në mënyra të paligjshme.

Reforma territoriale e vitit 2015 gjithashtu shihet si faktor që shtoi konfuzionin e menaxhimit të zonave pyjore, duke ia deleguar përgjegjësinë autoriteteve vendore, të cilat shpesh nuk kanë kapacitetin e duhur për t’u përballur me gjuetinë e paligjshme.

Përgjatë tre dekadave të fundit autoritetet e kanë pasur thuajse të pamundur mbrojtjen e natyrës dhe faunës në vend, duke rezultuar në rënie drastike të specieve, për shkak të shpyllëzimit, degradimit të natyrës dhe gjuetisë së paligjshme.

Në janar 2014, qeveria ndërhyri duke miratuar ndalimin total të gjuetisë në të gjithë vendin për dy vjet, por ky afat u zgjat më pas deri në vitin 2021 për të fituar më shumë kohë në hartimin e një kornize ligjore që siguron përmirësimin e gjendjes së faunës së egër objekt gjuetie.

Katër vite pas moratoriumit, studimi i publikuar së fundmi sheh nevoja të shumta të papërmbushura si për shembull nevoja për fonde të qëndrueshme shtetërore dhe jo-shtetërore në ruajtjen e parqeve përmes përforcimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës, por edhe përmes personave me integritet të lartë dhe të pakorruptueshëm.

Duke komentuar në lidhje me intervistat në terren me gjahtarët, studiuesi gjerman thotë se në zonat e largëta ata shfaqin shpërfillje ndaj moratoriumit, por thekson se ky i fundit ka sjellë pasoja pozitive në përgjithësi pasi ka trembur gjahtarët e huaj nga ushtrimi i turizmit të gjahut.

Shqipëria  e konsideron shkeljen e moratoriumit të gjuetisë si kundravajtje administrative dhe e ndëshkon atë me gjobë nga 80 mijë deri një 1 milionë lekë.

Konservacionisti Trajçe i bashkohet studiuesve të tjerë shqiptarë të cilët janë shprehur për studimin se moratoriumi nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë. Ai sugjeron prioritizimin e reformës në menaxhimin e gjuetisë, bashkërenduar me fuqizimin e institucioneve ligjzbatuese dhe edukimin e vazhdueshëm dhe të hershëm mjedisor.

“Nëse i zbatojmë siç duhet këto brenda afatit të moratoriumit aktual (2021) dhe më tej, do të ketë shumë pak arsye për mbajtjen e një mase kaq drastike sa ç’është ndalimi i plotë i gjuetisë,” përfundon ai. Dy procese po kryhen paralelisht për draftin e legjislacionit që do të rregullojë gjuetinë dhe mbrojtjen e natyrës, por afatet e përfundimit të tyre mbeten të paqarta.

Print