• Kreu
  • Natyra
  • Aktivistët e Valbonës dhe koncensionarët e HEC-eve përballen në gjykatë

Aktivistët e Valbonës dhe koncensionarët e HEC-eve përballen në gjykatë

Aktivistja mjedisore e luginës së Valbonës, Catherine Bohne dhe Shoqata Toka u përballën të mërkurën në Gjykatën e Tiranës me kompanitë paditëse Gener 2 dhe Dragobia Sh.p.k në çështjen e hapur prej këtyre të fundit për dëmtim të imazhit nga ana e aktivistëve.

Përfaqësuesja ligjore e kompanive Gener 2 sh.p.k, që ka fituar koncensionin për dy hidrocentrale në Valbonë dhe Dragobia Energy sh.p.k që zbaton ndërtimin e tyre paraqiti në seancën përgatitore arsyetimet e paditësve për shpifje dhe dëmtim të imazhit, ndërsa ngriti pikëpyetje të interesave vetjakë dhe jo mjedisorë të aktivistes Bohne për fushatën e saj në mbrojtje të Valbonës.

Sipas avokates së Gener 2, kompania po vepronte me një standard të lartë mjedisor dhe se kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme nga autoritetet shqiptare, duke i quajtur organet shtetërore si të vetmet që mund të mbanin përgjegjëse kompanitë.

Ajo shtoi se përmes deklaratave në media dhe te banorët e zonës, Shoqata Toka dhe Bohne kanë dëmtuar reputacionin e kompanisë në vend dhe ndërkombëtarisht pasi janë shprehur për prishje të kanaleve vaditëse, mungesë të ujit në zonë dhe kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve të Gener 2.

Kompanitë paditëse kërkojnë 20 milionë lekë nga të paditurit.

Avokati i Bohne iu drejtua gjykatës duke thënë se pala paditëse nuk kishte ofruar asnjë argument dhe provë të shkaktimit të një dëmi konkret dhe akuzoi kompanitë paditëse se po cënonin lirinë e shprehjes.

Të paditurit kërkuan rrëzimin e padisë. Avokatja e Gener 2 mohoi ofertën e gjykatës për të caktuar një ekspert për të vlerësuar dëmin e shkaktuar, ndërsa u shpreh se kërkohej dëmshpërblim për dëmtim të reputacionit. Gjyqtarja Eneida Civici vendosi të hedhë poshtë kërkesën e palës së paditur për të ndarë çështjen mes dy kompanive, ndërsa caktoi 31 majin si datën e seancës së radhës.

Duke folur për mediat jashtë Gjykatës së Tiranës, aktivistja Bohne u shpreh se gjyqi sipas saj ishte absurd dhe se qe optimiste për një vendim të gjykatës në favor të aktivistëve. “Në anën time është absurde, ne kemi një opinion. Gjithccka që kemi publikuar është e bazuar në një referencë dhe ka një burim,” u shpreh Bohne.  “Unë mund të humb shtëpinë time në fshatin shumë të bukur të Tropojës, kaq; por imagjinoni sikur të humbim Valbonën,” tha ajo duke iu referuar shumë së kërkuar nga paditësit. “Jam e sigurt që në fund të fundit do të fitojmë,” përfundoi aktivistja.

Print