• Kreu
  • Natyra
  • Gjelbërimi në qytete dhe gabimet me llojet e pemëve (drurëve) që mbillen

Gjelbërimi në qytete dhe gabimet me llojet e pemëve (drurëve) që mbillen

Prej kohësh më shqetëson një dukuri për të cilën organet kompetente, ato që në fakt merren me këtë punë, ose nuk dinë sa duhet, ose nuk duan, ose që të dyja. Bëhet fjalë për gjelbërimin në qytete, por edhe më gjerë, në rrugët tona lokale apo kombëtare.

Fillimisht, drejtuesit e njësive vendore dhe ata të qeverive, nuk janë interesuar për çështje të gjelbërimit ose janë marrë fare pak me to. Me një fjalë, gjelbërimi, hapësirat e blerta publike vazhdimisht kanë përberë një “dhimbje koke” më shumë për drejtuesit e strukturave të ndryshme të pushtetit. Me kalimin e kohës, disa shoqata dhe organizata, kryesisht me nxitjen dhe mbështetjen e donatorëve të ndryshëm, filluan të lobojnë për çështje që lidhen me gjelbërimin. Ato u përqendruan në sensibilizimin e publikut dhe organeve kompetente, në ngritje kapacitetesh, etj. dhe bënë shumë pak e deri aspak në lidhje me investime konkrete për përmirësimin e gjendjes së gjelbërimit. Më pas, ishin edhe vetë organet e pushtetit vendor, kryesisht bashkitë e mëdha, që filluan të kushtojnë më shumë punë e para në drejtim të gjelbërimit të mjediseve publike. Për pasojë, gjendja ndryshoi e po ndryshon përditë, duke u shtuar sipërfaqja e gjelbëruar brenda qyteteve dhe në rrugë ndërqytetëse. Në pamje të parë, por edhe në përgjithësi, ky është një përmirësim i gjendjes, është një lëvizje pozitive. Por, duke e parë më në thellësi ka edhe mjaft probleme. Tre nga problematikat më të rëndësishme mund të veçohen:

  • Rendja pas sasisë, duke mos u kujdesur për cilësinë.
  • Mungesa e një plani për qëndrueshmëri të investimit.
  • Prirja për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar).
  • Kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zonat e tjera).

Të tria këto kanë dëmtuar e po dëmtojnë gjithnjë e më shumë shtimin e sipërfaqes së gjelbër në vend e bashkëme të edhe cilësinë e jetesës së popullatës. Por, ajo që është më shqetësuese (së paku kështu më duket mua), është se po vazhdojmë me “galop” në këtë drejtim, pa u shqetësuar “qytetarët”, pa u shqetësuar organet kompetente dhe pa u shqetësuar as specialistët e fushës përkatëse. Prirja e parë është karakteristikë tipike e jona, sidomos këto tri dekadat e fundit, ndikuar edhe nga psikologjia e kaluar, kur shqetësoheshim më shumë për “letrat” sesa për atë se sa “bereqet” kanë veprimet dhe veprimtaritë e zhvilluara. Një shfaqje tipike e “rendjes pas sasisë” ishte iniciativa e fundit e kryebashkiakut të kryeqytetit, kur rëndësi parësore kishte një numër i caktuar prej tij, sesa llojshmëria e pemëve të mbjella, cilësia e mbjelljes (përfshi këtu gropën, plehun e përdorur, përdorimin e ujit, etj.).

Rezultat i kësaj janë dështimet e shumta në pemët e mbjella. Pikërisht këtu lidhet edhe pika e dytë e dobët, që shfaqet në aktivitetin tonë referuar shtimit të sipërfaqeve të gjelbra në mjediset publike. Për shkak edhe të terrenit ku janë mbjellë pemët (bimët zbukuruese dhe gjelbëruese), por edhe për shkak të mosplanifikimit si duhet të veprimtarive të nevojshme lidhur me ndjekjen e mbirjeve dhe shëndetin e mirë të bimëve të mbjella, ka mundësi që një pjesë e mire e pemëve të mos i “zërë motmoti”. Kjo do të thotë se shumë nga përpjekjet e bëra për mbjelljen, por edhe për mediatizimin e këtij “aksioni”, do të shkojnë kot. Ndaj, kërkohet që krahas më planifikimin dhe ndërmarrjen e aktiviteteve me rëndësi, të ndërtohet edhe një plan i qartë, që duhet të zbatohet në lidhje me qëndrueshmërinë e punës së kryer. Pika e tretë e dobët lidhet me prirjen për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar).

Rasti më flagrant ishin palmat e mbjella në rrugën e Durrësit, deri te mbikalimi i Kasharit. Por, ka edhe raste të tjera ku shfaqet kjo prirje. Le ta sqarojmë. Shumë bimë, që përdoren në lulishtet e qyteteve, kanë një mënyrë të lehtë shtimi, kanë zënie të lehtë dhe durojnë krasitje e dhënie formash sipas dëshirës. Por, nuk janë vetëm këto bimë që i kanë këto karakteristika, ka edhe bimë të tjera me këto karakteristika, por shfaqin edhe avantazhe të tjera, siç është prodhimi i luleve dhe frutave të dobishëm. Pra, pyetja që shtroj është: Pse të mos mbjellim shegë e dafinë, lavandul e sherbelë, rozmarinë e trumzë në lulishtet e qyteteve tona? Pse të mos mbjellim kumbull e frashër, panjë e gështenjë (në rastet kur edhe mikroklima favorizon)?! E këto të jenë në vend të palmave, oleandros, ligustrave e të tjerave, që janë shumë bajate t’i shikosh në lulishtet tona.

Ndërsa pika e katërt shumë në dëm të një diversifikimi të bimëve të mbjella dhe krijimit e ruajtjes së identiteti të qyteteve tona, është kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht që shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zona të tjera). Kështu, kudo janë shtruar pllaka të kuqe (si ato të shëmtuarat në Bulevardin e Tiranës), kudo po mbillen palma, kudo po mbillen rrape apo rrapenj (në Shkodër njihen me emrin çinar). Që të dyja këto bimë kanë specifikat e veta dhe duhet të mos teprohet me përhapjen e tyre.

Fillimisht, palmat përveçse nuk janë tipike të vendit tone (janë simbol i shkretëtirës), nuk kanë ndonjë pamje për tu pasur zili, nuk lëshojnë ndonjë hije të konsiderueshme e, për më tepër, kushtojnë shtrenjtë dhe dëmtohen lehtë nga një dëmtues që ka gjetur shumë përhapje këto kohë. Ndërsa rrapet janë të bukur vitet e para, por më pas bëhen shumë të rrezikshëm, thithin shumë ujë, kanë sistem rrënjor shumë të fuqishëm dhe çojnë trotuaret dhe rrugët, duke sjellë shpenzime marramendëse për riparim e mirëmbajtje. Habitem pse specialistët tanë nuk këshillojnë shtimin e bimëve të vendit, si frashëri, krekëza, thana, panja e shumë të tjera (duke i përshtatur për ato qytete që kanë mikroklimë të pranueshme për to, megjithëse shumica e tyre bëhen kudo). Nga ana tjetër, në anë të rrugëve nacionale duhet me patjetër të ndërhyjmë me mbjelljen e bimëve prodhuese (pemë me fruta), si shega, ulliri, gështenja, lajthia, arra, etj. Kjo duhet të bëhet sipas specifikave që kanë zonat. Psh., sugjeroj që rruga Shkodër - Tiranë të mbillet me nga tre rreshta shegë, një bimë e bekuar, shumë e lehtë në zënie, pa kërkesa të tepërta për ujë apo shërbime, që duron çdo lloj krasitjeje, që shfaq 2-3 muaj lule të mrekullueshme, që shfaq për 2-3 muaj një frut shumë interesant (pra që përmirëson shumë pamjen e dy anëve të rrugës), por që jep në fund një frut që është i paketuar për bukuri dhe që ka vlera shumë, shumë të larta për shëndetin e njeriut.

Nga ana tjetër, bima e shegës, vetë trungu i saj, nuk është i rrezikshëm në rast të daljes së makinës nga rruga, përgjithësisht mund të ndalojë makinën, por nuk ka atë forcë sa të mbysë pasagjerët. Në këtë logjikë, duke marrë edhe masat e duhur për largësinë nga rruga, duhet të vazhdohet edhe me bimët e tjera frutdhënëse, sipas veçorive të zonës ku do të mbillen: në Tropojë gështenja, në Vlorë ulliri, e kështu në vijim. Jam me shpresë se dikush dhe dikur do t’i bjerë në mend që të reflektojë në lidhje me këtë shqetësim, i cili nëse do të adresohet do të shtojë shumë bukurinë e vendit, por, nga ana tjetër, do të kursente para dhe do të shtonte shumë cilësinë e parametrave të shëndetit të popullatës.

Print