• Kreu
  • Natyra
  • Turizëm në zonat e mbrojtura – AKZM harton paketat ekoturistike, të cilat i zbaton private

Turizëm në zonat e mbrojtura – AKZM harton paketat ekoturistike, të cilat i zbaton private

Paketat ekoturistike kanë si qëllime që të nxisin turizmin edhe në zonat e mbrojtura. Në këtë kuadër Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura po zhvillon një projekt pilot në Shkodër dhe në Vlorë për të testuar këto paketa. Sipas drejtorit të AKZM, Zamir Dedej, paketat ekoturistike janë me vlerë më të vogël financiare dhe tërheqin më shumë turistë drejt zonave të mbrojtura. Nga viti 2017 deri në mars të vitit 2018 zonat e mbrojtura janë vizituar nga më shumë se 1.5 milionë turistë.

“U mendua që të bëhet një lloj turizmi, i cili të jetë me impakte sa më të vogla në mjedis. Shumë herë nuk vëmë re që një turist harxhon një sasi bidonash plastikë, që pi ujë, dhe kjo mund të shmanget duke i dhënë një mjet metalik turistit dhe ta mbushë ujin mbi një konteiner. Ose harxhimi i karburanteve që bëhen për lëvizje, kur mund të gjehen mjete më të thjeshta dhe nganjëherë kontributi i vetë turistëve në aktivitetet mjedisore. Të gjitha këto janë grumbulluar në një paketë 5-6 ditore, që do të kryhet nga tur operatorët, por që tani jemi në fazën eksperimentale, pra të testimit”, tha Dedej.

Në rrethin e Shkodrës ku po aplikohet ky projekt janë përfshirë tre zonat të mbrojtura në një paketë ekoturistike prej 6 ditësh, duke tërhequr gjithnjë e më shumë interesin e turistëve.

“Ne në Shkodër menduam që përveç tre zonave tona të mbrojtura të përfshijmë edhe një zonë të Lezhës, është ajo një histori suksesi e një ferme, një ekoturizmi që zhvillohet atje, e përfshimë edhe atë në paketën tonë ekoturistike për këtë lëvizje. Kjo paketë ishte 6-ditore dhe përfshinte lëvizje të ndryshme nga një vend në tjetrin. Ne në Shkodër kemi 3 zona shumë të ndryshme, si nga ana natyrore, edhe nga zona turistike dhe kulturore dhe menduam që t’i vëmë në të njëjtën vijë dhe në të njëjtën vijë në këtë paketë”, u shpreh specialistja e AKZM, Age Martini.

Projekti Desi MED është i bashkëfinancuar nga Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal me një bushet prej 2.5 milionë euro. Aktualisht Shkodra dhe Vlora e kanë kaluar testin e parë të paketave ekoturistike gjatë muajve maj dhe qershor.

Print