PËR NJË SEKTOR, I MBETUR “JETIM”

Në vend të hyrjes

Para pak kohësh, jo pak i interesuar kur bëhet fjalë për sektorin Pyjor, më tërhoqi vëmëndjen  thirrja e Administratës Civile, për marrjen, në provim, të specialistëve të Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku listoheshin edhe dokumentat e konkurimit, rreth 12 ligje në fuqi, që kishin të bënin me njohuritë, që duhej të zotëronin kandidatët, të nevojshme për të qënë koherent dhe të aftë, gjatë punës së tyre të përditshme, inspektuese dhe  kontrolluese, dhe e vetmja, që mungonte, ishte paketa legjislative “Mbi Pyjet”..., ndonse në ketë provim duhej të “konkuronin” edhe kandidatët, per Inspektor Pyjesh.

Harresë, nuk e besoj, sepse  deri më sot (që nga i pari ligj Shqiptar, ai i vitit 1923), janë nxjerrë e përpunuar shumë të tillë (i fundit, i vitit 2014, mbetur në proçes diskutimi, në sirtarët e Legjislativit), por besoj se më tepër ishte shpërfillje ndaj një sektori, atij Pyjor, që dikur vlerësohej një sektor jetik, me potenciale mjedisore  dhe gjenerues të ardhurash, për ekonominë e vendit (sot mbetur “jetim”) dhe për rrjedhoj lënie pas liste edhe të specialistëve të mirfilltë pyjesh, të hedhur “në rrugë” apo dyerve të gjykatave, mbas reformës së muajit Shkurt 2014.

Ishte pikërisht ky njoftim që më ngacmoi t’i rikthehem një shkrimi problematik, të para shumë viteve, si dhe shumë shkrimeve të kolegëve të tjerë, që preknin dhe vinin në vëmëndje të politikave të kohës, ide novative mbi ecurinë e sektorit Pyjor, por të mbetura të tilla vetëm në fillesat e projekteve, sepse zbatimet në praktik sollën gjëndjen e sotme, aspak inkurajuese të këtij sektori.

Gjykoj se ndoshta qeveria aktuale, siç operoi me pozivitet dhe efektivitet, lidhur me reformën në organizim-administrim dhe drejtimin e Zonave të Mbrojtura, më parë si pjese organike e pasurisë pyjore, duke krijuar edhe strukturën e posaçme (AKZM), duhet të shof edhe mundësinë e rikëmbjes së Shërbimit Pyjor (me një sërë specifikash), deri më sot shtojcë (por “e hyrë në ujë”- thotë populli) e institucioneve mjedisore.

Sinoptika e para shumë viteve

Vendi ynë, midis resurseve natyrore veçon PYJET, të cilat, sëbashku me Kullotat mbulojnë rreth 60 % të sipërfaqes totale (në shifra, por larg reales), me një biodiversitet të lartë drurësh, flore barishtore dhe faune pyjore, i favorizuar ky dhe nga kushtet morfologjike dhe fitoklimatike të territorit.

Këto resurse brilante, të vlerësuara si “mushkritë e mjedisit jetik”, të lakmuara nga çdo vend dhe që, ndonse, me ne, natyra u tregua bujare, duke na i falur me bollëk, duhet pranuar se jo vetëm s’kemi ditur t’i ruajmë, t’i trajtojmë dhe t’i shtojmë siç duhet, por edhe për to, si në çdo gjë tjetër, nuk mungoi “origjinaliteti”, paradokset dhe mbizotërimi i direktivave partiake (si para dhe mbas viteve ‘90) mbi logjikën shkencore, që kërkonte përkujdesi ndaj kësaj pasurie shumëshekullore.

Inventari Kombëtar i vitit 2004 (edhe pse “hëngri”mbi 1,3 milion $ dhe shumë rallë citohej) afroi të dhëna statistikore, që në pamje të parë u dukën të knëaqshme, por një analizë e kujdesshme e tyre, ballafaquar dhe me nivelin e vendeve të tjera, na cilësoi si “vend i pasur, me pyje të varfër” dhe me një ekonomi pyjore “anemike”, e cila para viteve ’90, nën okelion “pyje kemi boll, të presim sa më tepër”, ju nënshtrua një politike shtetërore shfrytëzimi  të rënduar të tyre, ndërkohë që edhe mbas viteve ’90, jo në atë logjik drejtimi, u cfaq fenomeni i “prerjeve abuzive”, të nxitura prej nivelit të ulët ekonomik të popullatës së zonave rurale e pyjore dhe interesave tregetare të personave të veçantë, për përfitime të jashtëligjshme, të cilat po “gangrenizojnë” jo vetëm zonat dhe mjedisin pyjor, por e kanë vënë në pikëpyetje të shumta dhe ardhmërinë e kësaj pasurie natyrore shumëfunksionale.

Natyrisht që shkaqet, që sollën këtë gjëndje të pyjeve Shqiptare, janë të shumta, por në mënyrë të sintetizuar e vetmja përgjigje është: “Trajtimi dhe vlerësimi i pasurisë pyjore, thjesht për qëllime ekonomike, nëpërmjet tejkalimit të mundësisë së shfrytëzimit, dhe lënia, mbas dore, e rolit të tyre shumëfunksional (ekologjik, mbrojtës, social, rekreativ, turistik, etj)”.

Deri në vitet `90, nën diktatin e sistemit të një ekonomie të centralizuar, u veprua me praktika regresive si:

  • shfrytëzimi i një mase drunore 2-3 herë, më e lartë se potenciali i tyre prodhues, sidomos vjelja e druve të zjarrit nga dushkajat;
  • çpyllëzime masive, për toka “të reja” bujqësore dhe sheshe ndërtimi;
  • krasitje të rënduara, për gjeth dhe kullotje, në grumbujtë e cungishteve, nga bagëtia, etj.

Megjithatë pati edhe praktika pozitive si: hartimi i planeve të mbarshtrimit dhe zbatimi rigoroz i tyre; sigurimi i ripërtritjes natyrore të pyjeve, si rezultat i zbatimit të prerjeve suksesive në shfrytëzimin e tyre; pyllëzimet dhe ripyllëzimet intensive, prej mijra hektarësh; sistemime të shumta malore; hapja e rreth 3.500 km rrugë pyjore; drejtimi dhe operimi me kompetencë shkencore dhe teknika silvikulturale efektive, nga ana e specialistëve të pyjeve, etj.

Mbas viteve `90, tashmë me kalimin në një sistem të ri shoqëror dhe ekonominë e tregut, për përballimin e sfidave të reja, para të cilave u vu Pylltaria Shqiptare, u ndërmorrën një sërë masash dhe rrugëzgjidhjesh, një pjesë e të cilave rezultuan të suksesshme, kjo fal dhe mbështetjes financiare dhe konsulencë-ekspertizës së huaj (Banka Botërore, BE, FAO etj), si:

  • hartimi i legjislacionit të Ri pyjor (përfshi dhe njohjen e dy formave të tjera të pronësisë në pyje, krahas pronës së Shtetit dhe ato Komunale dhe Private);
  • riorganizimi i Shërbimit pyjor dhe Policisë pyjore (status ligjor për specialistin e pyjeve, motivim financiar, logjistikë të nevojshme, etj);
  • privatizimi i punimeve pyjore;
  • hartimi i strategjisë kombëtare të zhvillimit të sektoritë të Pyjeve dhe Kullotave dhe fillimi i mbarë i punës, për zbatimin e parimeve të saj, në terrenin konkret;
  • nxitje dhe mbështetje e plotë për Pylltarinë Komunale dhe Private (investime, asistencë teknike apo shërbim këshillimor);
  • rimkëmbja e shumë masiveve apo pyjeve me dushkaja, në Komuna, të interesuara për pyjet;
  • ngritja e një sërë fidanishtesh private, nga fermer vendas;
  • formulimi dhe praktikimi i një politike të re marketingu pyjor (rishikim të tarifave pyjore, nxitje konçesioni për zona të veçanta pyjore, etj).

Megjithatë pati edhe dukuri praktika negative, ende me pasoja edhe sot, në sektorin pyjor, si: 

  • prerja abuzive e pyjeve apo zjarret e qëllimshme, që sollën degradimin e mijra ha sipërfaqesh pyjore dhe për rrjedhoj edhe nxitjen e fenomenit të erozionit, me pasoja katastrofike, në shumë zona rurale të Veriut të vendit.
  • mungesa të theksuara investimesh të përvitshme, në drejtim të përkujdesjes, trajtimeve silvoteknike të pyjeve dhe shërbimeve infrastrukturore;
  • angazhimi për punimet në pyje, i një numri firmash apo subjektesh jo profesionale dhe pa teknikën e duhur të punës;
  • eficiencë e ulët e tri projekteve kapitale, në sektorin Pyjor, vlera e të cilave pak “u ngurtësua” për punime në pyje (pyllëzime, sistemime, infrastrukturë etj), ndërkohë që vlera të konsiderueshme “thithën”, sidomos, reforma institucionale (e lënë në mes të rrugës);

Krahas këtyre dukurive të fundit, ajo që i dha një goditje të rëndë sektorit pyjor, ka qënë “ngrirja” apo heqja dore prej reformës institucionale, që u menduar t’i nënshtrohej ai (e hartuar mbas një angazhimi edhe të asistencës së huaj teknike, kryesisht BB-re, përshtatur kushteve dhe përvojës tonë dhe asaj bashkëkohore), ndonse për të u shpenzuan kohe dhe fonde të konsiderueshme.

Me këtë dozë shpërfilljeje, ku politika qeverisëse, pa dallim, nuk hezitoi të “fusi” duartë, duke lejuar dhe nxitur operime masash, me kahje të kundërtë, si:

  • shkëputja absurde dhe e padrejtë e sektorit të pyjeve, prej bujqësisë dhe blegtorisë, “simotrat” e saj tradicionale (agro-silvo-pastoralizmi) dhe përfshirja e tij (sot, gadi me 1/4 e organikës së dikurshme të punonjësve) tek Ministria e Mjedisit;
  • shkrirja e DPPK (Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave), njësia përgjegjëse, operative dhe tepër profesionale, për drejtimin e ekonomisë pyjore dhe shndrimi i saj në një mikrodrejtori, e angazhuar vetëm me punë rutine;
  • rënie e nivelit të drejtimit tekniko-profesional të shërbimit pyjor, në qëndër dhe në rrethe, rrjedhoj e zëvendësimit gradual të specialistëve të pyjeve me jo profesionistë dhe ulje e pastudjuar e numrit organik të tyre (në pyje, rrallë dhe më rrallë, shifet pylltari i vërtetë), edhe pse të shumtë në numur, por të papunë, janë breza të diplomuarish të kësaj fushe (aktiv apo në profesion të lirë);
  • shkrirja e ISPPK (Instituti I Studimeve dhe Projektimeve Pyjore-Kullosore), si e vetmja qëndër e studim-kërkimit shkencor pyjor dhe “përfshirja” e tij tek AKM (Agjensia Kombëtare e Mjedisit), natyrisht me staf dhe rol më të kufizuar, etj.

Njëkohësisht, në ecurinë dhe përgjegjshmëritë e përvitshme, që i takojnë këtij sektori, midis të tjerash, ka munguar apo e papraktikuar:

  • zëri i specialistit të vërtetë dhe gjykimi i debatuar tekniko-shkencor, lidhur me silvoteknikën pyjore dhe mirëadministrimin e pyjeve, në aktive apo konferenca vjetore;
  • prania e një Këshilli (Bordi) Kombëtar, që do të merrte përgjegjësitë e drejtim-këshillimit të problematikës së këtij sektori dhe pasurisë, që ai administron (i nominuar në vitet 2000, por vetëm në letër);
  • ndjekja dhe analiza e përgjegjshme, kur flitet për projekte investimesh kapitale (siç ishin dhe po zbatohen projektet madhore të institucioneve ndërkombëtare, prej rreth 70-80 milion $,të BB, FAO,USAID, etj) etj.

Sot, pas gjithë kësaj kohe të humbur, duhet pranuar dhe reflektuar se ende ky sektor po ecën në një rrugë të pa orientuar drejt dhe mund të thuhet pa më të voglën mëdyshje se ekonomia jonë pyjore, për shkak specifikash, por edhe mënyrës së qeverisjes dhe trajtimit të pyjeve (që nga vitet ‘50 dhe deri më sot) nuk rezulton, si në shumë vënde me silvikulturë të zhvilluar, një ekonomi eficiente (që krijon të ardhura, punësim, mundësi investimesh dhe zhvillimi) por një sektor, që thith, prej buxhetit të shtetit, fonde rrogash për punonjësitë, duke ju bërë atij kështu (nën ndikimin edhe të krizës globale), më shumë një barrë se sa mbështetje, për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Print