• Kreu
  • Natyra
  • Agropylltaria, përdorimi i pemëve në bujqësi, përfitime për fermerët dhe mjedisin

Agropylltaria, përdorimi i pemëve në bujqësi, përfitime për fermerët dhe mjedisin

Agropylltaria është sektori me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e përfitimeve në bujqësi për fermerët dhe mjedisin.

Në Konferencën e parë Kombëtare për Agropylltarinë, që u zhvillua sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, zv/ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote u shpreh se agropylltaria është një praktikë pak e dëgjuar në vendin tonë dhe e përdorur spontanisht, por nëse do të aplikohet ashtu siç duhet, agropylltaria do të përmirësonte ndjeshëm sektorin bujqësor drejt prodhimeve organike dhe administrimin më të mirë të tokës bujqësore.

Në Shqipëri, rastet e aplikimit të agropylltarisë kanë qenë sporadike, por po bëhen përpjekje që fermerët të mësojnë si të përfitojnë prej saj, duke rritur jo vetëm rendimentin dhe të ardhurat e tyre, por edhe duke përmirësuar cilësinë e jetës, tha Kote.

Fatos Fico, inxhinier i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural, duke u ndalur në detaje të agropylltarisë tha se, “agropylltaria është përcaktuar si integrimi i pemëve dhe shkurreve në sistemet e kulturave dhe kafshëve të fermave. Këto praktika mund të ndihmojnë pronarët e tokave për të diversifikuar produktet dhe për të krijuar përfitime sociale, ekonomike dhe mjedisore”.

Sipas tij, pemët dhe pyjet sigurojnë më shumë se vetëm ushqimin, ata mund të rrisin shtresat tokësore, mbrojnë biodiversitetin, ruajnë furnizimet e çmuara me ujë, madje dhe ndihmojnë në uljen e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Sipas Qendrës Botërore të Agroforestry, Agropylltaria është e vetmja e përshtatshme për të adresuar nevojën për të rritur më shumë ushqimin dhe biomasën për lëndë djegëse, theksoi Fico.

Sipas tij, specialistët dhe fermerët po trajnohen në kuadër të një projekti të Qendrës Shqiptare për Trajnim dhe Zhvillim dhe programeve të Bashkimit Europian të Erasmus+, për t’u ndërgjegjësuar dhe ndërmarrë iniciativa të orientuara për zhvillimin e agropylltarisë, si një treg i ri që ofron mundësi për të gjithë fermerët, ekonominë rurale dhe mjedisin e shëndetshëm.

Print