• Kreu
  • Natyra
  • Miratohet projektligji për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor

Miratohet projektligji për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor

Këshilli i Ministrave ka miratuar Projektligjin “Për administrimin e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar në Republikën e Shqipërisë”.Me këtë vendim historik i hapet rruga një nisme ligjore shumë të rëndësishme dhe njërës prej reformave më jetik në fushën e pyjeve dhe kullotave për vendin tonë.

 

Projektligji i hartuar nga Ministria e Mjedisit është rezultat i një konsultimi të gjatë me specialistë të fushës, me njësitë e qeverisjes vendore, me përfaqësues të botës akademike, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe aktorë të ndryshëm në fushën e mjedisit .

Për herë të parë, me këtë projektligj do të zgjidhet ngërçi i krijuar nga kalimi i pjesshëm dhe problematik i fondit pyjor dhe kullosor pranë njësive vendore. U vendos menaxhimi 100 % i fondit pyjor nga bashkitë.

Projektligji i miratuar riorganizon qeverisjen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës. Funksionet menaxhuese të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i ngarkohen bashkive, ndërsa funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.Ky është një progres i dukshëm në kuadër të decentralizimit të kompetencave nga Ministria tek bashkitë, në përputhje të plotë me strategjinë ndërsektoriale të decentralizimit.

Për herë të parë me këtë projektligj do të ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore në masën 100% .Kjo masë vjen pas një sërë masash të tjera të ndërmarra të cilat dhanë efektin e tyre, si ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit dhe lëndës së papërpunuar. Rezultati i këtyre masave të suksesshme nuk është mjaftueshëm për situatën ku ndodhemi dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve. Për herë të parë ky projektligj përcakton vendosjen e një moratoriumi 10 vjeçar të pyjeve. Shpallja e këtij moratoriumi është një vendim historik që kërkon angazhimin dhe vullnetin e të gjithë palëve dhe mbështetjen e plotë nga shoqëria shqiptare. Edhe pse në dukje një masë drastike jemi të kushtëzuar në këtë vendim të marrë nga qeveria shqiptare, duke pasur një situatë të trashëguar jo të favorshme në më shumë se 40 vite.

Qysh nga viti 1974 nevoja për lëndë drusore dhe dru zjarri ka qenë shumë më e lartë sesa mundësia e gjenerimit të fondit pyjor në mbarë vendin. Abuzimet e pas viteve 90 kanë çuar në degradimin e fondit pyjor, si një nga sektorët jetikë të mjedisit dhe aset i çmuar për ekonominë shqiptare. Ndërhyrjet pa kriter, dëmet e vazhdueshme dhe prerjet abuzive kanë sjellë një situatë në kufijtë e emergjencës, sa i takon kësaj pasurie natyrore me vlera jetike per të ardhmen e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë.

Kjo reformë madhore është një vendim historik në sektorin e pyjeve e cila do garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve në funksion të rritjes së cilësisë së jetës dhe mirëqënies së qytetarëve shqiptar, në interes të shoqërisë së sotme dhe të nesërme.

Ky projekt ligj do të kalojë për rishikim e diskutim në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërise dhe parashikohet të hyjë në fuqi në Janar 2016.

Print