Mjedisi Sot 150

Ndodh përhumbësh dhe të humbësh në natyrë, herë prej marramendjes dhe hutimit që nxit mbathja prej “xhunglës” urbane, herë prej të qenurit eksplorues i asfiksuar nga mungesa e orientimit. Në të dyja rastet konsideroje veten me fat, sepse

ende përjeton ndjesi që shumë prej komuniteteve të zhvilluara paguajnë shtrenjtë për atë që e quajnë kthim në origjinë dhe në vetvehte. Gjithashtu, vlen edhe parimi i famshëm Pareto 80-20 që njohin ekonomistët, si tregues se nuk mund të arrihet 100 % e gjithçkaje, por as ekuilibri i shëndetshëm nuk mbetet utopi edhe pse rreziku i humbjes së pasurive i lidhur me katastrofat natyrore rritet sot më shpejt sesa koha e nevojshme për zotërimin e këtyre pasurive.

Animatorët e cirkut e ndjejnë më mirë se çdokush që sa më shumë hollohet filli aq më e vështirë bëhet orvatja për ekuilibër, animatorët e teatrit gjithashtu dinë mirë se nëse marioneta ka fatin e keq të drejtohet pa konsistencë e pa lëvizje të mirëmenduara, shprehitë që transmeton nuk janë fort të pëlqyeshme, deri sa dikush t’i interpretojë si diçka abstrakte, si risi, si modernizëm…

Në ditët e sotme anatemimi për natyrën duke u fokusuar vetëm në përfitimin monetar afatshkurtër, sikur e mira materiale të krijohej nga hiçi, është dukuri infektuese.

Vetëm një pasionant i natyrës, vetëm një i lidhur ngushtë me të do të mund të kuptojnë se vlera shpirtërore, lehtësimi, përkëdhelja, frymëzimi, lidhja emocionale, freskia dhe gjallërimi nuk mund të llogariten me vlerë monetare. A thua vallë se një që rend pas ekonomisë nuk e kërkon banesën e vet pikërisht në mes të shpirtit të natyrës.

Në këtë moment na ka mbetur në dorë pikërisht risia, gërshetimi i interesave të ndryshme në një përpjekje për të vlerësuar atë që ke dhe e dëshiron duke qëndruar pranë saj. Shoqëri të tëra e individë të apasionuar ndjekin sot më shumë se kurrë shtegun magjepës dhe jetëdhënës të natyrës. Ndërkohë, që të tjerë mbeten spektatorë në “cirkun” e këtyre marionetave, tërheqja që këta të fundit ushtrojnë mbi instiktin biologjik, bëhet gjithnjë e më e fortë.

Diku një pemë, diku një pastrim, diku një shëtitje, diku një histori intriguese, diku një revoltë, diku një plan i qartë, diku një grumbullim për interes të përbashkët, diku një gërshetim i harmonishëm i sipërmarrjes, krijojnë aureolën e thirrjes natyrore, zgjimit të instiktit për të bërë gjënë e duhur me përfitim të madh ekonomik, social dhe mjedisor.

E ndërkohë për çdo mosveprim apo veprim të pamenduar natyra na rrit normën e interesit që duhet të paguajmë për të garantuar jetesë të kënaqshme. Ne ndodhemi para vendimeve historike, të cilat mund dhe duhet të shmagin falimentin! Është koha për veprim personal dhe komunitar.

Shkarko dokumentin [pdf]

Print