MJEDISI SOT 153

Kuptimi për cilësinë e jetës në qytet po evolon: në qytetet më të mëdha të vendit tonë i kemi tejkaluar kërkesat nga shërbimet bazë tek ato që ndihmojnë funksionimin më të lehtë, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm të hapësirave urbane.

Lëvizja, apo si rëndom kemi filluar ta dëgjojme si fjalë në përdorim mobiliteti, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan e Shkodër ka ndryshuar jo vetëm fluksin e mjeteve në rrugë, por edhe kërkesat e qytetarëve për mënyra të reja, përfshirë transportin publik dhe biçikletat. Alternativat, që pak kohë më parë dukeshin futuriste, sot diskutohen si zgjidhje për më shumë mobilitet racional, ku integrohen të gjitha mënyrat e transportit. Sekreti është të mos lejosh makinat, taksitë apo autobuzët të konkurrojnë në të njëjtin intinerar udhëtimi. E për më tepër, të mos konkurrojnë ecjen me këmbë apo biçikletë në qytet. Duke ecur nëpër Tiranë, ndeshesh shpesh me nervozizmin e shoferëve, këmbësorëve dhe çiklistëve për mosrespektimin e korsive apo të sinjalistikës. Këtë aspekt e shoh si tregues i konkurrencës për lëvizje më të shpejtë dhe mungesë rregulli në qytet.

Transporti në ditët e sotme ka shumë çështje të debatueshme: shtimi i korsive të biçikletave apo trotuarë me të gjerë; makina elektrike dhe autobuzë urbanë me korsi të dedikuara kundrejt mjeteve tradicionale që mund të furnizohen ngado e qarkullojnë më shpejt; ecja me këmbë për në punë e në shkollë kundrejt distancave më të largëta në qytet që rriten.

Një ditë e zakonshme në qytet të krijon përshtypjen e nje kaosi lëvizjeje ku gjithkush rend shpejt dhe për kudo. Gjithashtu, kaosi mediatik reflekton realitetin: ku nga njëra anë dëgjon përpjekjet për të zbatuar tendenca të reja si zonat pedonale, korsi biçikletash, parkingje publike të mëdha dhe vende furnizimi për makinat e para elektrike në Shqipëri, dhe nga ana tjetër trafiku i rënduar, ajri i ndotur dhe vonesat e arritjes në destinacion.

Qyteti i së ardhmes duhet të këtë transport më të shpejtë, më të lirë dhe inteligjent, me biçikleta që kanë korsinë e tyre të mirëpërcaktuar. Gjithashtu, diskutimin për zhvillimin e qyteteve tona e shohim në funksion të lëvizjes së njerëzve. Vëmendje e veçantë në planifikimin urban duhet ti kushtohet lëvizjes së fëmijëve dhe moshës së tretë, njerëzve me nevoja të veçanta që kanë vështirësi në lëvizje. Qyteti ynë i së ardhmes duhet të krijojë mundësi që të gjithë të lëvizin lirshëm dhe shpejt. E shoqëruar me më shumë lehtësira urbane efiçente, më shumë dyqane dhe shërbime më të mira, do ta bëjë qytetin, jo vetëm një nevojë për të qenë afër shkollimit dhe vendit të punës, por edhe një vend të dëshiruar për të jetuar.

SHKARKO DOKUMENTIN [PDF]

Print