Mjedisi Sot 146

Vitet e fundit, alternativat e gjelbëra në kuadër të debatit politik kanë njohur zhvillim, teksa sfidat mjedisore lokale dhe globale bëhen gjithmonë e më të mprehta.

Subjektet politike janë më të interesuara se kurrë për të luajtur ‘kartën e gjelbër’. Gradualisht ka ndodhur zhvendosja e politikave të gjelbëra, nga lëvizjet radikale të mbrojtjes së mjedisit, të cilat kërkojnë ndryshim rrënjësor të sistemit, tek grupet politike konvencionale, të cilat mund të bëjnë lehtë kompromis me reformat në sistemin aktual të funksionimit të demokracisë dhe kapitalizmit. Teksa politikat mjedisore bëhen gjithmonë e më ´mainstream´, ashtu edhe aktivizimin mjedisor sot e shohim të kufizuar brenda kornizave të strategjive reformiste, që funksionojnë me arnime legjilsative dhe masa të izoluara në sektorë specifikë. Këto më së shumti mund të interpretohen si manovra politike për të gëzuar mbështetjen e shoqërisë civile, një aleat i rëndësishëm në rrugën për qeverisje.

Por, a i ka bërë kjo politikat mjedisore më populiste dhe më të ‘arsyeshme’ për të ndikuar vendim-marrjen e për të luftuar degradimin e mjedisit, apo i ka bërë ato më shumë fasadë, në funksion të të ashtuquajturit zhvillim ekonomik? Rishtazi politikat e gjelbëra janë transformuar në produkte konsumi politik e mediatik, sidomos gjatë periudhave të fushatave elektorale. Debati politik shënjestron probleme të nxehta mjedisore, por pa arritur asnjëherë të prodhojë zgjidhje afatgjata e të qëndrueshme për komunitetin, për shoqërinë dhe vendin në tërësi. Alternativat e qëndrueshme mjedisore kërkojnë reforma radikale me ndikim në ekonomi dhe në politika sociale. Por këto vështirë të mundësohen nga politika dhe politikanë konvencionalë, të cilët kërkojnë më shumë pushtet se sa ndryshim.

Në këtë garë për pushtet, përtej ekranit të televizionit qëndron, si gjithmonë, publiku. Me telekomandën në dorë kërcen sa nga politikat ekonomike të punësimit, që sjellin investitorët e huaj nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, tek sfidat e uljes së ndotjes në qytet, duke reduktuar qarkullimin e automjeteve…

Suksesi i alternativës së gjelbër në thelb duket se është i lidhur me moralin dhe etikën që ne gëzojmë si individ dhe si shoqëri, për të merituar qeverisjen nga alternativa vërtet të gjelbëra.

Shkarko dokumentin në pdf

 

Print