• Kreu
  • Shendet
  • Ujë me krimba, gjysma e banorëve përfundon në spital

Ujë me krimba, gjysma e banorëve përfundon në spital

Konsumonin ujë me krimba, shtrohen në spital për shkak të intoksikimit. Situata alarmante është shënuar në fshatin Shamollë të qytetit të Korçës, ku banorë, mes tyre fëmijë të grupmoshave të ndryshme, prej disa ditësh janë paraqitur pranë urgjencës së spitalit të Korcës në gjendje shëndetësore të rënduar. Burime pranë spitalit rajonal të Korçës thonë se pacientët janë paraqitur në urgjencë me diarre, të vjella, temperaturë dhe dridhje të trupit.

Fillimisht është dhënë ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas është konstatuar së gjendja shëndetësore ishte serioze, ndaj pacientët e intoksikuar duhet të qëndronin disa ditë nën vëzhgimin dhe kujdesin e bluzave të bardha derisa gjendja e tyre të përmirësohej.

Edhe pse banorët e fshatit Shamoll, 20 kilometra larg qytetit, kanë dy vite që jetojnë nën kërcënimin e ujit të ndotur dhe me orar të reduktuar; askush nuk intersohet për një zgjidhje të situatës. Banorët e lidhin shtrimin e të afërmve të tyre në spital me ujin e ndotur. Sipas tyre uji që rrjedh në çezmat e 450 familjeve është tërësisht i papastër, i pushtuar nga krimba me ngjyrë të kuqe dhe baktere të ndryshme. Në këto kushte, dhjetëra familje detyrohen që të konsumojne ujin e ndotur, duke e kulluar dhe zierë, ndërsa një pjesë tjetër udhëtojnë kilometra në ditë për të mbushur ujë në fshatin më të afërt.Të kërcënuar nga niveli i lartë i ndotjes së ujit të pijshëm, banorët shprehen se jeta e tyre është në rrezik, pasi në çdo moment janë të rrezikuar nga shpërthimi i epidemisë, sepse çdo ditë ka raste të të infektuarve nga konsumimi i ujit të ndotur.

Një 45-vjecar nga fshati Shamoll, i cili në gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar të shtrohet prej dhjetë ditësh në spitalin e Korçës, për shkak të konsumimit të ujit të ndotur thotë: ”Kemi mëse dy vjet që pijmë ujë të papastër, plot me krimba dhe mbeturina, vetëm ujë që nuk mund të quhet, por pisllëk.U sëmurëm me dhembje barku dhe të vjella. Marrim ilaçe çdo ditë, por përsëri kemi shqetësime shëndetësore. Uji vjen me orar të reduktuar, vetëm tri orë në ditë dhe aq sa vjen, është i papastër. Ne e kullojmë me napë dhe më pas e ziejmë. S’kemi zgjidhje tjetër, e pimë ashtu sic është, të ndotur, duke rrezikuar seriozisht shëndetin tone. Për shkak të ndotjes unë kam qëndruar disa ditë në spital dhe përsëri jam i sëmurë. Kam pasur të vjella, heqje barku, të dridhura trupi dhe temperaturë. Kam shkuar menjëherë në spitalin e Korçës dhe atje më kanë shtruar, pasi isha shumë rëndë. Kam qëndruar rreth dhjetë ditë i shtruar dhe kam marrë serume dhe medikamente sepse nuk më lëshonin ethet dhe të vjellat. Kam qënë shumë keq dhe tani detyrohem ta ble ujin, sepse nëse konsumoj ujë të ndotur, jeta ime është në rrezik. Kemi mëse dy vjet që na sorrollatin sa në një zyrë tek një tjëtër dhe askush nuk merr përgjegjësinë. Komuna, Shëndeti Publik, Prefektura, të gjithë qëndrojnë indiferentë, pavarësisht se po helmohemi të gjithë pak nga pak.

Print