• Kreu
  • Shendet
  • Hirra e baxhos rrezikon shëndetin e 4.500 banorëve

Hirra e baxhos rrezikon shëndetin e 4.500 banorëve

Rreth 4.500 banorë të fshatrave Kemishtaj, Mërtisht dhe Goricë në Divjakë vuajnë nga ndotja e ujit të pijshëm, që sjell një baxho e cila ushtron veprimtarinë në zonë prej kohësh. Hirra e baxhos shkakton ndotje pasi derdhet në kanalin e ujitjes dhe në rrjetin e ujit të pijshëm. Banorët janë ankuar vazhdimisht, por nuk kanë gjetur zgjidhje nga institucionet. Në këto kushte, ata i janë drejtuar emisionit “Fiks Fare”. “Prej vitesh kjo baxho hedh hirrën në kanalin e ujitjes. Ne jemi ankuar në Bashkinë e Divjakës por nuk kemi gjetur zgjidhje. Po na dëmtohen të mbjellat”, ka thënë një nga banorët për “Fiksin”.

Më problematik banorët kanë shëndetin e tyre, pasi si pasojë e kësaj situate ata preken nga alergjia.

“Kjo hirrë që derdhet këtu më ka dëmtuar shëndetin e fëmijës. Para disa kohësh vajta ta vizitoja dhe më doli vajza alergjike. Doktoresha më tha se e ka nga bulmeti. Por pasi i shpjegova situatën më tha se e ka nga hirra”, është shprehur e shqetësuar një tjetër banore.

Në zonë ndihet era e hirrës së përhapur në mjedis, erë jo fort e këndshme. I pyetur nga gazetarët e “Fiksit”, pronari i baxhos pretendon se është në rregull me dokumentacionin.

“Unë e kam marrë lejen mjedisore. Letrat i kam në rregull. Kam vendosur dy gropa septike. Njëra është jashtë standardeve, por s'ma ka kërkuar njeri, e kam vënë vetë. Ndërsa tjetra i ka standardet ashtu siç mi ka përcaktuar Bashkia e Divjakës”, ka thënë ai.

Por ndryshe nga pretendimet e pronarit shprehet Bashkia e Divjakës. Inspektoriati i Mjedisit në këtë institucion ka deklaruar se nga inspektimet e bëra, baxhoja nuk i plotëson standardet për të vazhduar aktivitetin.

“Ne e kemi inspektuar dy herë dhe është jashtë çdo standardi. Ndot mjedisin dhe dëmton shëndetin e banorëve. Ne madje kemi kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit që të inspektojnë nga afër situatën. Të gjitha këto i kemi mbajtur në procesverbale”, ka sqaruar inspektori i Mjedisit, Aleksandër Hila për redaksinë e emisionit.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe juristi i Bashkisë. Ai ka deklaruar se tashmë çështja është çuar në gjykatë dhe është kjo e fundit që do të vendosë.

“E kemi çuar këtë çështje në gjykatë, kemi bërë kallëzim penal dhe jemi në pritje të vendimit të organeve kompetente”, ka thënë ai.

Print