• Kreu
  • Shendet
  • Skandali me kafshët e pamatrikulluara në tregun e Tapizës

Skandali me kafshët e pamatrikulluara në tregun e Tapizës

Kafshët në tregun e Tapizës, në Fushë Krujë, tregtohen pa certifikata origjine. Ministria e Bujqësisë vendosi më 10 janar të këtij viti mbylljen e tregut, pasi nuk ishin plotësuar kushtet higjieno-sanitare. Kamera e “Fiks Fare” ka dokumentuar gjatë dy muajve, shkurt dhe mars, se vijon tregtimi i kafshëve në Tapizë. Lopët, viçat, delet, dhitë, por edhe shpendët shiten dhe blihen në të zezë, pa asnjë dokument. Të gjitha kafshët dhe shpendët nuk kanë certifikatë shoqëruese, madje në treg nuk është as veterineri. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama, në një mbledhje me kryetarët e bashkive të rretheve tha se janë 33 tregje në të gjithë vendin jashtë çdo lloj kushti higjieno-sanitar.

“Në to (tregjet) lëvizin kafshë të pamatrikulluara, pa certifikatë veterinare dhe mënyra sesi zhvillohet veprimtaria është e denjë vetëm për në Mesjetë, jo për një vend në mes të Europës në shekullin e XXI-të. Në mars të 2016-s ju kërkuam t’i keni këto tregje në administrim. Një pjesë u mbyllën, por nuk janë mbyllur. Funksionojnë nën sytë tuaj, me tolerancën tuaj dhe jashtë çdo lloj kujdesi”, pohoi kryeministri, ndërsa në fund tha se nga data 1 dhjetor 2016, të gjitha kafshët që shkojnë në treg të shoqërohen me certifikatë veterinare, ose ndryshe do të sekuestrohen.

Por çka ndodhur në realitet?! “Fiks Fare” vëzhgoi tregun e Tapizës, ku një tregtar nga Dibra i tha gazetarit të “Fiks Fare” se për kalimin e bagëtive nga Dibra në Çerek ka paguar te Policia Rrugore që e kishte ndaluar. Bagëtitë nuk janë të matrikulluara dhe nuk kanë asnjë letër të lëshuar nga veterineri për lëvizjen e tyre, madje as letër për çregjistrimin e kafshëve.

Ndërsa në treg punon edhe një grua, e cila pohon se ka më shumë se 15 vite që mjel qumështin e kafshëve që janë nxjerrë për t’u tregtuar. Sipas saj, vetëm në një ditë pazari, ajo ka mbedhur rreth 18 litra qumësht nga bagëtitë që po shiteshin. Çuditërisht, gjatë mjeljes së lopëve, punëtorja nuk mban doreza e as nuk i lan kafshët para mjeljes.

Kamera e “Fiksit” ka vëzhguar dy herë brenda javës kushtet në tregun e Tapizës dhe asnjëherë nuk e gjeti veterinerin.

Tregtarët pranojnë vështirësitë e mëdha në matrikullimin e bagëtive, duke pranuar zvarritjen e këtij procesi. Vetëm një tregtar nxjerr dokumentet për të vërtetuar që i ka të gjitha letrat në rregull për shitjen e bagëtive.

Në janar të këtij viti, Ministria e Bujqësisë, pasi ka verifikuar situatën në terren lidhur me tregun e Tapizës, lëshoi urdhër pezullimi të aktivitetit në tregun e gjësë së gjallë për mospërmbushje të kushteve. Megjithatë tregu nuk është mbyllur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Granit Sokolaj thotë se është kërkuar nga administratori i tregut të Tapizës 3 muaj shtyrje e afatit të pezullimit. “Nësë deri në fund të muajit mars 2017 nuk përmirësohen kushtet, atëherë Ministria që përfaqëson do t’i kërkojë Bashkisë së Krujës mbylljen e menjëhershme të tregut të Tapizës”.

Për sa i përket mungesës së veterinetit, Ministria e Bujqësisë ia kaloi përgjegjësinë Bashkisë së Krujës, pasi shërbimi veterinar është në varësi të pushtetit vendor.

Print