Abuzimi me mishin, AKU ndëshkon subjektet

Edhe pse në tregje, apo pikat e shitjes së mishit zhvillohen kontrolle të vazhdueshme për kushtet ku tregtohet apo cilësine e tij, disa subjekte abuzojnë në periudha të ndryshme. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Qarkun e Tiranës thotë se deri në këtë periudhë të vitit janë marrë masa për disa subjekte, ndërsa abuzimet më të mëdha bëhen në rastet e festave, kur mishi përdoret në masë nga konsumatorët. “Kemi konfiskuar rreth 281 kilogramë mish që është asgjësuar në landfill. Janë penalizuar rreth 12 subjekte dhe janë mbyllur 19 të tilla për mungesën e kushteve.

Gjithmonë në raste festash, Drejtoria e Përgjithshme merr masa dhe shtohen kontrollet në të gjitha tregjet ku tregtohet ky produkt. Në këto raste abuzohet nga ana e disa tregtarëve për të shitur mish të pavulosur dhe të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës”, thotë Armand Oruçi, drejtor i AKU-t në Tiranë.

Por, ka edhe raste kur përgjegjësinë për kushtet e këqija të tregtimit i kanë institucionet, siç është rasti i Kavajës dhe i Rrogozhinës, që janë dy bashkitë me tregjet e mishit me kushtet më të këqija në të gjithë Qarkun e Tiranës, për të cilën edhe janë gjobitur. Sipas autoriteteve, qytetarët duhet të bëjnë më shumë denoncime.

“Duhet të kemi edhe denoncime nga qytetarët, apo ndërgjegjësimi që produkti duhet të ketë vulën përkatëse dhe tregtohet në ambiente të certifikuara. Problemet më të mëdha i kemi pasur në Kavajë dhe Rrogozhinë, sepse tregjet e këtyre dy bashkive nuk i përmbushin standardet për tregtimin e produkteve me origjinë shtazore, si mishi dhe peshku. Për këtë, këto dy institucione janë penalizuar pak kohë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”, deklaron Oruçi.

Problem mbeten edhe pikat e therjes, që janë të paligjshme, të cilat edhe pse jo në masë, evidentohen herë pas here, ndërsa rreziku i tyre përhapet nga tregtimi i mishit nga një qytet në tjetrin.

Gjatë ditëve të ardhshme, Ministria e Bujqësisë do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi dhe kontrolli në të gjithë vendin për shitjen e këtij produkti.

Print