Rikthehet “Dermatoza Nodulare”, FAO thirrje urgjente: Vijoni vaksinimin

FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë) konstaton se sëmundja e dermatozës nodulare është rishfaqur në Shqipëri kohët e fundit dhe në disa vende të rajonit, prandaj ka bërë thirrje që procesi i vaksinimit të vazhdojë, ose të rinisë në ato vende ku është ndërprerë. “Edhe pse shpërthimi në Evropë ishte i pranishëm në prill pas vaksinimeve masive, ne kemi parë që sëmundja është rishfaqur sërish muajt e fundit në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni.

Është vetëm një shenjë paralajmëruese se sëmundja nuk është plotësisht e kontrolluar dhe mund të vazhdojë të përhapet nëse nuk bëjmë më shumë përpjekje për ta kontrolluar atë”, tha Ren Wang, ndihmës i FAO-s, nga Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Bujqësisë.

Në një dokument të botuar ditën e djeshme, FAO paralajmëroi se edhe vendet që nuk janë prekur nga sëmundja e lëkurës tek gjedhët, por që konsiderohen në rrezik, duhet të kryejnë vaksinimin për të shmangur përhapjen e sëmundjes, që mund të ketë pasoja shkatërruese për fermerët, sidomos ata të vegjël.

Sëmundja gungore e lëkurës te gjedhët shkaktohet nga një virus që transmetohet nga insektet dhe mund të jetë vdekjeprurëse për kafshët, por nuk infekton njerëzit.

Zakonisht Dermoza Nodulare (LSD) është gjetur ne Afrikën e jugut dhe ate lindore , por në vitin 1970 ajo është përhapur në veriperëndim të kontinentit Afrikan (Afriken sub-Sahariane). Që nga viti 2000, ka pësuar një përhapje në disa vende të Lindjes së Mesme. Në 2013 u konfirmua në Turqi dhe pastaj u përhap shpejt në nëntë vende në Evropën Lindore dhe në Ballkan.

Në kulmin e përhapjes në Europë, vendet e goditura nga sëmundja e lëkurës kanë regjistruar deri në 200 shpërthime, të cilat kanë çuar në humbje të konsiderueshme ekonomike, për shkak të rënies së prodhimit të qumështit dhe zvogëlimit të cilësisë së lëkurës, por dhe vdekjes deri në 15 përqind e kopeve të prekura.

FAO u bën thirrje qeverive në të gjithë rajonet në rrezik për të kryer fushata vaksinimi, sidomos përpara muajit Mars ku normat e infeksionit janë më të larta, dhe me te veshtira për të parandaluar, kontrolluar dhe eliminuar sëmundjen.

Për shembull, vaksinimi parandalues ​​në Kroaci, Bosnje dhe Herzegovinë dhe në veri të Serbisë do të krijonte një zonë tampon dhe do ta ndalonte përhapjen e sëmundjes në vendet fqinje si Hungaria dhe Rumania, të cilat janë kursyer deri më sot nga dermatoza nodulare.

FAO paralajmëron se asgjesimi i të gjitha kafshëve në një fermë të infektuar duhet të përdoret si mjet i fundit, sepse kjo mund të ketë ndikim drastik në ekonominë e fermerëve të vegjël.

FAO rekomandon që kjo të përdoret vetëm në rastin e kafshëve të prekura klinikisht, kur infeksioni konfirmohet nga një laborator i autorizuar dhe kafshët duhet të eliminohen në mënyrë humane dhe të hidhen në mënyrën e duhur sa më shpejt që të jetë e mundur. FAO tashmë ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikat e vendeve të riformimit, në mënyrë që vaksinimi të përdoret si një masë kyçe për të parandaluar sëmundjen e lëkurës.

Print