• Kreu
  • Shendet
  • Kontrolli ushqimor, asnjë gjobë për 100 ditë, AKU në provë

Kontrolli ushqimor, asnjë gjobë për 100 ditë, AKU në provë

Ashtu si në institucione të tjera, edhe në AKU, sipas kreut të Qeverise, ka zyrtarë të korruptuar dhe pa aftësitë e duhura për të mbajtur detyrën. Edi Rama prezantoi kreun e ri të AKU Agim Ismaili dhe tha se tani do të vendosen në provë të gjithë drejtuesit e AKU në të gjithë vendin. “Edhe këtu nga ju ka njerëz që duhet të largohen vetë. Sepse kanë ardhur këtu nga partitë. Është një fushë e minuar nga të 4 anët. Të gjithë drejtorët e AKU do të vendosen në provë. Ata të cilët janë në këto pozicione si rezultat i arsimimit të tyre do të rivihen në provë dhe do të kenë të gjithë kohën për të provuar se mund të qëndrojnë.

AKU është një vatër e mbushur me korrupsion e infektuar nga korrupsioni. Ku gjobvënia për qëllime korruptive. Edhe mes jush ka protagonist të këtij korrupsioni”, tha Rama.

Kryeministri dha urdhër që AKU të ndërpresë gjobat, të ndalojë menjëherë therjen e kafshëve në ambiente të hapura dhe të kontrollojë imtësisht licencat dhe kushtet në të cilat veprojnë pikat e therjes.

“Ndalimi i gjobave për sipërmarrësit dhe për njerëzit që tregtojnë normalisht është detyrim i këtyre 100 ditëve, derisa të vendosen standardet. Derisa t’i mbyllet gryka e babëzisë që ka pushtuar AKU me gjobaxhi. Të mbyllen gjobat dhe derdhja e gjakut rrugëve. Duhet të argumentoni shumë fortë gjobën, ndryshe përjashtoheni nga puna. Është e papranushme, institucion gjobash. AKU është institucion standardesh. Nuk është ky qëllimi që është ngritur ky institucion”, u shpreh Kryeministri.

Me reformën në administrate, AKU i bashkëngjitet edhe Shërbimi Veterinar me të cilin do të bashkërëndojnë punën në vijim.

Print