Ujë të padezinfektuar për Tiranën

Nga Neritan Gjergo Thellohet skandali me ujin e pijshëm në Tiranë. Dje “Shekulli” solli në vëmendje një rast të kapur rishtas nga UKT për gjetjen e klorit të skaduar në magazinën pranë stacionit të pompave në Brar, ndërsa sot sjell dokumente që tregojnë se depot e ujit nuk janë dezinfektuar me klor. Këtë herë bëhet fjalë për shkelje ligjore, të dala nga një inspektim rutinë i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, në depon e ujit Daias, Petrelë. Gjetjet e inspektoratit janë të tmerrshme, teksa pas analizës që i është bërë mostrave të ujit të pijshëm është konstatuar mosklorinimi i tij.

Në dokumentet që disponon gazeta, rezultatet e analizave janë nxjerrë në 23 gusht të këtij viti, ndërkohë që për këtë abuzim të rëndë, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, është ndëshkuar me gjobë në vlerën 500 000 lekë. Një inxhinier ujërash me përvojë në ndërmarrjen e Ujërave dhe në Ujësjellës thotë se “klorifikimi i ujit bëhet për të vrarë bakteret dhe mikrobet e tjera dhe në veçanti klorifikimi përdoret për të ruajtur përhapjen e sëmundjeve nga mikroorganizmat ose mikrobet si kolera, dizenteria dhe tifo”.

Shkresa

Pas verifikimit të këtij skandali nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Departamenti i Sektorit të Laboratorit “dyshon” se mosklorinimi i ujit në një ditë të muajit gusht nuk është rast unik, dhe për këtë ka kërkuar nga drejtoria rajonale analizat tërësore të ujit që nga muaji janar deri në muajin gusht. Në vendimin e inspektimit të ISHSH-së, pasi është hartuar procesverbali i plotë i inspektimit konkludohet si më poshtë: “Grupi i punës, pasi realizoi inspektimin dhe hartoi procesverbalin e inspektimit në datë 23.08.2017, në bazë të tij dhe kontestimeve të subjektit gjeti mungesë të klorinimit të ujit të pijshëm si shkelje e kërkesave ligjore. Për shkak të shkeljeve të konstatuara të kërkesave ligjore të subjektit të inspektimit, në mbështetje të ligjit 7643, ato klasifikohen si kundërvajtje administrative dhe parashikohet dënimi administrativ kryesor, gjobë 500 000 lekë dhe dënimi administrativ plotësues, korrigjim i shkeljeve të konstatuara dhe eliminimi pasojave të tyre në një afat kohor të arsyeshëm”. Ndërkohë, shkresa e dytë e datës 08.09. 2017 e Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, duke iu drejtuar drejtorisë rajonale kërkon “argumente dhe fakte nëse konstatimi i ISHSH-së është i vërtetë dhe nëse po, kërkojmë arsyetimin sipas ‘rregullores së brendshme’, pse nuk është kryer klorinimi i ujit”. Departamenti i vë kushte drejtorisë rajonale, që ta bëjë këtë sa më parë, dhe kjo me të drejtë, pasi shpreson që me ankimimin të anulojë gjobën.

Denoncimi

Mungesa e klorinimit të ujit edhe pse një rast abuziv, nuk është më “i rëndi”, në veprimtarinë e Ujësjellësit, Tiranë. Konsumimi i ujit të pa klorinuar, sipas ekspertëve mund të shkatojë kolerë e tifo. Konsumimi i ujit të përzierë me klor të skaduar mund të shkaktojë çrregullime hormonale, anemi, diabet e kancer. Këto janë gjetjet në vetëm dy nga 111 depot e Tiranës. Por, abuzimi bëhet drithërues, teksa një qytetar denoncon se depoja e Vaqarrit monitorohet nga roja i shërbimit vetëm gjatë paradites, ndërkohë që aty paga ndahet për tre turne. Po kështu, i njëjti fenomen është vënë re edhe në depon e Linzës, Baldushkut, Krrabës.

Depoja e Zall-Herrit është tërësisht e rrënuar, ndërkohë, që në shumë depo dhe stacione pompash të tjera, si Mëzezi e Tapiza që ndodhën në anë të rrugës, rreziku është edhe më i madh, pasi mjafton një dorë e papërgjegjshme, e cila mund të helmojë gjithë popullatën. Funksionimi i UKT-së në këtë situatë, merr përmasat e një superskandali që duhet hetuar, pasi ka rrezikuar seriozisht jetët e njerëzve, edhe pse rregullorja e përcakton qartë se si duhet të ruhen, mbrohen dhe dezinfektohen depot e ujit.

Rregullorja

Klorinuesi i stacionit të Pompimit merr dhe bën dorëzimin e detyrës me proces-verbal, duke nënshkruar rregullisht në të; b) Me marrjen e turnit duhet të kontrollojë prurjet e ujit, pajisjet e dezinfektimit, dozën e caktuar, sasinë e klorit, raportin e përqindjes së klorit, inventarit fizik etj.; c) Doza që duhet të përdoret për dezinfektim përdoret prej tij vetëm pasi të jetë dhënë me shkrim nga përgjegjësi i laboratorit të shoqërisë. d) Klorinuesi ka për detyrë të vijë në punë 15 minuta përpara fillimit të turnit për t’u njohur më mirë me marrjen dhe zbatimin e detyrës ditore. e) Punonjësi klorinues nuk mund të largohet gjatë shërbimit pa u zëvendësuar nga përgjegjësi. f) Gjatë shërbimit, ai është i detyruar që klorinimin ta bëjë të pandërprerë dhe të njëtrajtshëm, duke pasur parasysh që me ndryshimin e prurjeve të ujit, të ndryshojë sasinë e hipoklorit. g) Të mbajë të pastër vendin e punës për të mos sjellë asnjë ndotje në depo gjatë procesit të dezinfektimit. h) Të mos bëjë dorëzimin e detyrës te persona të tjerë të paautorizuar. 

Lexoni më shumë këtu.

Print