• Kreu
  • Shendet
  • Lushnje: Mosmenaxhimi si duhet i mbetjeve rrezikon shëndetin e banorëve

Lushnje: Mosmenaxhimi si duhet i mbetjeve rrezikon shëndetin e banorëve

Banorët pranë vendgrumbullimit të mbetjeve në Lushnje ndezin këmbanat e alarmit. Djegja e paligjshme e mbetjeve ndot mjedisin dhe rrezikon shëndetin e tyre. Një banore e moshuar ankohet se grumbulli i mbetjeve sa vjen e afrohet më shumë afër shtëpive. Aty hidhen çfarëdolloj mbetjesh, nga ato spitalore, thertoresh, letrash etj. Përveç atyre të qytetit mbetjet vijnë nga gjithë fshatrat e Lushnjes. Një banore tjetër thotë se ka rreth gjashtë vite që kanë ardhur mbetjet tek dritaret dhe nuk arrijnë dot të hapim as dyert as dritaret, si në dimër ashtu edhe gjatë verës.

Djegia e këtyre mbetjeve i ka mbyllur banorët në shtëpi, sepse është e pamundur të durohet tymi që çlirohet. Vështirësitë e mëdha janë më tepër pranë mëngjeseve dhe darkave. Tymi i çliruar nga djegja e mbetjeve arrin deri në qytet.

Shpeshherë u vënë fajin banorëve që jetojnë aty afër se ata i djegin vetë mbeturinat, por këta të fundit thonë se kur vijnë makinat që bëjnë hedhjen e letrave, iu vënë flakën dhe më pas largohen.

Banorët shprehen se janë të sëmurë nga gjithë këto mbetje dhe tymrat e tyre.

“Ne vdiqëm me këto plehra, unë përnatë shkoj në spital se jam me astmë. Jetojmë pesë veta në familje, vetëm nga tymi jemi sëmurë, nuk e durojmë dot.” -ka thënë banorja e moshuar, Sabrie Kashari.

“Çunin në spital e kam, edhe vjehrra shkon në spital, edhe vet me sëmundje se gjatë darkës e mëngjesit këtu nuk rrihet.” - shton një banore tjetër.

Ata shpresojnë vetëm që ky vend të pastrohet sa më parë të jetë e mundur, që të jetojnë më të qetë dhe pa u shqetësuar për ajrin që fëmijët e tyre thithin.

Print