• Kreu
  • Shendet
  • Bashkia e Elbasanit shpall gjendjen e emergjencës mjedisore

Bashkia e Elbasanit shpall gjendjen e emergjencës mjedisore

Ndotja vazhdon të jetë e pranishme ne ish-kombninatin metalurgjik. Ndryshe nga vite më parë ku mbartësi i vetëm i ndotjes ishte vetëm kompania Kurum ,tani ndotja vjen dhe nga bizneset e tjera në ish-kombinat. Sipas banorëve, ndotja është tepër e madhe, veçanërisht në orët e para të mëngjesit e deri në mesditë, oxhaqet e firmave private nxjerrin veçse pluhura dhe gazra në atmosferë. Edhe pse është dhënë urdhër që në oxhaqet e këtyre fabrikave të vendosen filtra pastrimi, përsëri firmat nuk i kanë vendosur.

“Jo ka ndotje, por ka shumë, këtu edhe njërëzit mezi marrin frymë. Të gjithë njerëzit këtu janë të sëmurë, ne e lajmë shtëpinë në darkë dhe çuditemi kur ngrihemi në mëngjes. Tym i kuq çimentoja! Po fryma jonë, po mushkëria e njerëzve si është?”-thotë një nga banoret e kësaj zone.

“Kur punojnë ata ka tym, kur nuk punojnë është qetësi. Punojnë më turne, ku punojnë ata. Pluhrat, ambient në darkë për shembull kur nuk funksionojnë filtrat. Ka shumnë problem. Në darkë ka shumë ndotje, shumë tym del aty. Ndotje ka këtu, sa të duash nga pluhuri që ka metalurgjia. Kush po të dëmshpërblen këtu?!” shprehen të shqetësuar banorët pranë zonës së metalurgjikut në Elbasan.

Ndërkohë që gjatë mbledhjes së Këshilli Bashkiak të Bashkisë së Elbasanit e cila është mbajtur pasditen e djeshme, ky këshill ka shpallur gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish kombinatit metalurgjik që ndodhet në periferi të qytetit. Anëtari i Këshillit Bashkiak, Eugen Isai shprehet se zona e metalurgjikut është bërë e pabanueshme.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini është shprehur se situata e ndotjes është emergjente dhe për këtë, në zonën e metalurgjikut duhet të shpallet emergjencë mjedisore.

"Unë do të ftoja Këshillin Bashkiak që ne t’i drejtohemi Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, jo me një letër konstatimi, por me një ngritjen e një problem dhe shpalljen e asaj zone, si zonë e emergjencës civile për ndotjen e mjedisit. Ta bëjmë këtë dhe t’ia paraqesim qeverisë dhe sidomos Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit"- thotë kreu i bashkisë së Elbasanit.

Sikur të mos mjaftonte vetëm metalurgjiku, një tjetër burim ndotës me përmasa alarmante në Elbasan është edhe impianti i ri i grumbullimit të mbetjeve, i cili në kohë të ndryshme gjatë ditës përhap erë mbytëse duke e bërë të pabanueshme lagjen "Skënderbej".

Print