Peleshi: Dështuam me sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ka pranuar se Shqipëria dështoi përsa I përket sigurisë ushqimore. Deklarata e kreut të Bujqësisë erdhi nga Elbasani, ku ndodhej për inspektimin e një thertoreje. “Drejtoritë Rajonale të AKU-së, në të gjithë Shqipërinë janë në një aksion, por mua nuk më pëlqen ta quaj aksion, sepse nuk është një punë që fillon dhe mbaron pas një periudhe kohe, nuk është punë task-force, por është një punë e sapofilluar dhe që nuk do të mbarojë asnjëherë, sepse siguria ushqimore nuk është çështje aksionesh.

Duhet ta pranojmë, duke u skuqur, për hir të së vërtetës, se ne kemi dështuar, krahasuar edhe me vendet përreth, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën dhe padyshim me çdo vend të BE-së, ku sistemi i sigurisë ushqimore, zinxhiri i kontrollit është i ngritur nga ferma në tavolinë”, theksoi Peleshi. AKU, gjatë ditëve të fundit, ka mbyllur 84 subjekte therje në të gjithë vendin, mes të cilave 76 pika therje dhe 8 thertore, që nuk plotësonin standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas Ministrit Peleshi, “pikat e therjes që janë mbyllur, si të pashpresa se mund të arrijnë ndonjëherë standardet, sepse janë vite dritë larg standardeve ligjore nuk do të hapen më. Askush nuk duhet të guxojë t’i hapë ato natën, larg syrit të inspektorëve apo të shtetit.”

“Ambicia jonë është që brenda pak viteve, mundësisht brenda gjysmës së parë të këtij mandati, ne të arrijmë të drejtën e eksportit të produkteve shtazore. Që të arrijmë të drejtën e e këtyre eksporteve drejt BE, duhet të plotësojmë kërkesat, pra të ngremë sistemin e sigurisë ushqimore. Përsa i përket mishit, nëse ne do të lejojmë therje të mishit në rrugë apo në pika të palicensuara, as që bëhet fjalë të pretendojmë hapësirë në tregun europian”, tha Ministri.

Print